Lajme

EULEX-i organizoi një seminar për regjistrimin e shtetësisë së Kosovës

25 prill 2018

EULEX-i së bashku me stafin e lartë të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe me Drejtorin e Departamentit të Gjendjes Civile e organizuan një seminar për "Regjistrimin e shtetësisë së Kosovës sipas nenit 32 të Ligjit për shtetësinë". Neni 32 i referohet regjistrimit të shtetësisë, sipas të cilit të gjithë personave që ishin shtetas të Republikës Federale të Jugosllavisë më 1 janar 1998 dhe që banonin në Kosovë do t’u njihet e drejta e regjistrimit në regjistrin e shtetasve të Kosovës.
Qëllimi i këtij seminari njëditor ishte që t'u mundësojë pjesëmarrësve që t’i kuptojnë më mirë kriteret në lidhje me dëshmitë për Shtetësinë e ish-Jugosllavisë dhe identifikimin e fushave për përmirësimin e zbatimit.

Pjesëmarrës gjithashtu ishin edhe përfaqësuesit e Departamentit për Azil dhe Migracion, përfaqësuesit e Zyrës Ligjore të MPB-së, Udhëheqësit e Zyrave Komunale të Gjendjes Civile dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile.

"EULEX-i është duke u marrë me aspektet teknike të dialogut Prishtinë-Beograd, në veçanti me marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes. Ne i kemi ofruar ndihmë teknike Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme në nivel lokal dhe qendror. Ky udhëzim administrativ i veçantë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në marrëveshjen për Lirinë e Lëvizjes. Më konkretisht, ajo ka të bëjë me banorët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, pasi ka ende qytetarë të cilët akoma nuk i kanë marrë dokumentet e tyre të Kosovës ", tha Henri Clement, Udhëheqës i Njësisë Këshillëdhënëse për Çështjet e Brendshme në EULEX.

Pjesëmarrësve ju dha mundësia që të merrnin pjesë në një bashkëbisedim, të paraqesin skenarë të rasteve dhe sfidat që i hasin gjatë punës s përditshme. U zhvillua diskutim për njohuritë dhe aftësitë e pjesëmarrësve për të hartuar politika dhe udhëzues strategjikë për sistemin e gjendjes civile, ndërsa komentet e bëra do të përdoren për t’i rritur kapacitetet e Agjencisë së Regjistrimit Civil.

"Ky seminar ishte i rëndësishëm për shkak të identifikimit të sfidave në punën e përditshme që e bëjnë zyrtarët e gjendjes civile. Ne diskutuam gjithashtu për zbatimin dhe për rastet e veçanta për ta arritur një qasje të përbashkët ", tha Blerim Camaj, Drejtor i Departamentit të Gjendjes Civile në kuadër të Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Kjo tryezë e rrumbullakët ishte pjesë e një projekti të përgjithshëm që punon drejt krijimit të një sistemi plotësisht të besueshëm të gjendjes civile në Kosovë duke ofruar mbështetje për Agjencinë e Regjistrimit Civil.