26 prill 2018
EULEX-i i ka organizuar dy seminare të ndara për “Luftimin e pijeve alkoolike të falsifikuara dhe të kundërligjshme” e që janë mbajtur për 26 oficerë të Doganës së Kosovës. Tregu i pijeve alkoolike është një biznes fitimprurës i cili shkakton humbje të hyrave dhe humbje të vendeve të punës për prodhuesit e ligjshëm. Po ashtu, prodhimi i produkteve të falsifikuara mund t’i dëmtojë rëndë konsumuesit e tyre.
Zyra e Bashkimit Evropian për të Drejta të Autorit ka raportuar se pijet alkoolike të falsifikuara janë përgjegjëse për humbjen e 1.3 miliardë eurove në të hyra dhe taksa për vendet anëtare të BE-së, ndërsa kjo i kushton ekonomisë së BE-së deri në 3 miliardë euro në vit. Ballkani perëndimor me një popullatë prej më shumë se 20 milion banorë është bërë një vend gjithnjë e më i përshtatshëm për prodhimin dhe shpërndarjen e mallrave të falsifikuara. Këtu përfshihen edhe pijet alkoolike të falsifikuara të cilat qarkullojnë kryesisht në saje të grupeve kriminale të organizuara, pasi që nivelet e fitimit janë shumë të larta.
Për këtë arsye këto seminare janë mirëpritur nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, meqë luftimi i të këqijave të pijeve alkoolike të falsifikuara është duke u bërë një shqetësim në rritje në Kosovë si dhe në tërë rajonin.