Lajme

EULEX-i në lansimin e Drejtësia 2020

26 shtator 2018

Shefja e Misionit EULEX, Alexandra Papadopoulou mori pjesë sot në ceremoninë e fillimit të Drejtësia 2020, një nismë e rëndësishme e udhëhequr nga Ministri i Drejtësisë i Kosovës, në bashkëpunim me Kryetarët e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës dhe e mbështetur nga PSBE/ZBE, EULEX-i, si dhe Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë. Ceremonia e fillimit u pasua nga një konferencë shtypi.

"Unë e përshëndes fillimin e Drejtësia 2020. Kjo është një iniciativë gjithëpërfshirëse dhe ambicioze që dëshiron ta bëjë sistemin gjyqësor të Kosovës të funksionojë më mirë dhe më të përgjegjshëm, me qëllimin përfundimtar për t'u shërbyer në mënyrë efektive qytetarëve të saj. Jam e sigurt që të gjithë pajtohemi me këtë qëllim, andaj kjo nismë e meriton mbështetjen tonë të plotë", tha zonja Papadopoulou.

Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është bërë shumë përparim në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, dhe meritat për këtë duhet t'u jepen autoriteteve lokale. Drejtësia 2020 do të ndihmojë në avancimin e mëtejshëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë dhe në fund ta bëjë Kosovën në një shoqëri më të mirë.

"Në veçanti, Drejtësia 2020 është një mekanizëm që është krijuar në mënyrë proaktive me iniciativën e autoriteteve të Kosovës. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm që ia vlen të theksohet, sepse ndryshimi i vërtetë mund të arrihet dhe mbështetet vetëm përmes pronësisë lokale. Për sa kohë që do të mbetet në Kosovë, EULEX-i është i gatshëm të ofrojë këshilla të ekspertëve dhe perspektivën e saj unike në shumë fusha të sundimit të ligjit edhe për këtë iniciativë të rëndësishme", u shpreh Shefja e Misionit EULEX.

EULEX-i, sipas mandatit të ri dhe të riorganizuar të tij, do ta mbajë një prani të gjerë monitorimi në të dy sistemet gjyqësore dhe prokuroriale të Kosovës, si dhe në shërbimin korrektues për të vazhduar këshillimin e homologëve kosovarë në tejkalimin e sfidave të tyre, duke i përfshirë edhe ato çështje të cilat mund t’i identifikojë Drejtësia 2020 me kalimin e kohës.