Lajme

EULEX-i mori pjesë në takimin e krerëve policorë të sektorit të krimeve në KBP EJL/PCC SEE

04 tetor 2018

Nga data 1 deri 3 tetor 2018, në Tiranë u mbajt takimi i drejtuesve të sektorëve policore të krimeve nga e tërë Evropa juglindore palë të Konventës për Bashkëpunim Policor për Evropën Juglindore (KBP EJL/PCC SEE).

Temat kryesore të diskutimeve ishin sfidat e sigurisë që lidhen me valët e migrimit, krimet e rënda dhe të organizuara dhe kontributi për Qasjen e Udhëheqjes Integruese të Sigurisë së Brendshme (IISG). Drejtuesit e sektorëve policore të krimeve shkëmbyen përvoja dhe diskutuan rreth mënyrave për trajtimin e çështjeve të përgjithshme të sigurisë në nivel global dhe rajonal.

Ky takim i nivelit të lartë u hap nga Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit të Shqipërisë, dhe Udhëheqësi i Sekretariatit të KBP/EJL. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga vendet kontribuese si dhe një numër i vëzhguesve, në veçanti përfaqësues nga EULEX, EUROPOL, EUROJUST, FRONTEX, CEPOL, OSBE, IOM, UNODC, SELEC, SEESAC, PAMECA V, IPA Western Balkans, MARRI, dhe DEA.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e vlerësuan gjendjen e bashkëpunimit policor dhe luftën kundër krimeve transnacionale në kuadër të rajonit, në veçanti rreth migrimit të paligjshëm dhe terrorizmit.

Vincenzo Giancarlo Cardinale, udhëheqës i ekipit të Njësisë së EULEX-it për bashkëpunim policor ndërkombëtar, ishte i pranishëm gjatë takimit në cilësinë e vëzhguesit, dhe theksoi: "Takimi i nivelit të lartë të udhëheqësve të departamenteve policore të krimeve më dha rastin që pjesëmarrësit t’i informoj rreth funksioneve dhe aktiviteteve të Misionit pas rikonfigurimit të bërë kohëve të fundit, me fokus në Shtyllën e Operacioneve dhe Njësisë së saj për bashkëpunim policor ndërkombëtar. Takimi u përqendrua në temën e migrimit të paligjshëm dhe terrorizmit dhe aty u demonstrua qartë se si rrjetet kriminale transnacionale mund të shpërbëhen vetëm me qasje bashkëpunuese ndërmjet agjencive për zbatimin e ligjit. Krimet e organizuara transnacionale kërkojnë përgjigje transnacionale. Unë i theksova disa raste ku EULEX-i, bashkë me Policinë e Kosovës u ballafaqua me disa kontrabandues aktivë, ndërsa janë planifikuar Ditët e Veprimit të Përbashkët në një numër shtetesh nën ombrellën e EUROPOL-it."