Lajme

EULEX-i organizoi një vizitë studimore për Policinë e Kosovës në Zyrën evropiane kundër mashtrimeve në Bruksel

23 nëntor 2018

Nga data 20 deri më 23 nëntor, EULEX-i organizoi një vizitë studimore për një delegacion nga Policia e Kosovës (PK), përfshirë Drejtorinë për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e sundimit të ligjit (NjBNZL/ILECU) dhe Shefin e Task Forcës kundër Korrupsionit, Shemsi Haziri, në Zyrën evropiane kundër mashtrimeve (OLAF) të Komisionit Evropian me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Qëllimi i vizitës studimore ishte njoftimi i PK me metodologjitë e identifikimit dhe hetimit të llojeve të reja të krimeve të mashtrimit, dhe përmirësimi i shkëmbimit të informatave në lidhje me trafikimin e kundërligjshëm të mallrave dhe menaxhimin e veprimeve kundër mashtrimit.

“Gjatë kësaj vizite studimore, delegacioni nga PK-ja është trajnuar për detyra specifike në pajtim me marrëveshjen administrative të vitit 2017 mes Policisë së Kosovës dhe OLAF për shkëmbim të informatave, hetimet, sigurinë financiare, doganën dhe luftimin e korrupsionit”, tha Vincenzo Giancarlo Cardinale, udhëheqës i ekipit në Njësinë për bashkëpunim policor ndërkombëtar. “Unë kam besim se PK do t’i përmbushë objektivat e veta në luftimin e krimeve ekonomike dhe të korrupsionit, në bashkërendim me akterët ndërkombëtarë dhe me mbështetjen e EULEX-it”, ai shtoi. 

NjBNZL po ashtu është duke planifikuar ngritjen e numrit të hetuesve me përvojë në fushën e krimeve financiare për hetimet e ardhshme të përbashkëta dhe kontrollet në vend të ngjarjes bashkë me OLAF.

Fadil Haliti, Shef i krimeve ekonomike në PK, tha: “Ishte kënaqësi të merrnim pjesë në këtë vizitë studimore meqë jemi informuar nga afër rreth mandatit dhe procedurave të OLAF, përfshirë në rastet e mashtrimeve që prekin fondet e BE-se”.