Si funksionin BE-ja?

Si funksionin BE-ja?

Si funksionin BE-ja?

Çfarë është BE-ja?

Bashkimi Evropian është një partneritet unik politik dhe ekonomik mes 27 shteteve demokratike evropiane që synojnë paqen, prosperitetin dhe lirinë për 500 milionë qytetarët e tyre në një botë më të sigurt dhe më të drejtë.

Është strukturë që zhvillohet në mënyrë konstante dhe që nuk ka ndonjë precedent të mëparshëm. Legjislacioni primar i BE-së janë traktatet e nënshkruara mes shteteve anëtare. Këto traktate përcaktojnë politikat themelore të BE-së, themelojnë strukturën e saj institucionale si dhe kompetencat dhe procedurat legjislative. Disa prej traktateve kryesore janë: Traktati i Romës për themelimin e Komunitetit Ekonomik Evropian (1957), Akti i Vetëm Evropian (1986), Traktati i Mastrihtit (1992), Traktati i Amsterdamit (1997) dhe Traktati i Lisbonës (2007).

Institucionet kryesore të BE-së janë: Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian.

Parlamenti Evropian   

Zgjidhet çdo pesë vite nga populli i Bashkimit Evropian për të përfaqësuar interesat e tyre. Detyra kryesore e Parlamentit Evropian është miratimi i ligjeve evropiane në bazë të propozimeve të paraqitura nga Komisioni Evropian. Këtë përgjegjësi Parlamenti Evropian e ndanë me Këshillin e Bashkimit Evropian. Parlamenti dhe Këshilli gjithashtu kanë kompetenca të përbashkëta për miratimin e buxhetin vjetor të BE-së. Takimet kryesore të Parlamentit mbahen në Strasburg (Francë) dhe të tjerat në Bruksel (Belgjikë). (http://www.europarl.europa.eu/

Këshilli Evropian 

Përbëhet nga Kryesuesit e Shteteve apo Qeverive të Shteteve Anëtare, së bashku me Presidentin e tij dhe Presidentin e Komisionit. Në punët e Këshillit merr pjesë edhe  Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri. Këshilli Evropian  përcakton drejtimin e përgjithshëm politik dhe prioritetet e Bashkimit Evropian, Këshilli nuk ushtron funksione legjislative. Takimet e Këshillit Evropian mbahen dy herë në çdo gjashtë muaj, dhe thirren nga Presidenti i tij. Në rast nevoje, Presidenti fton Këshillin në takime speciale. Mandati i Presidentit është dy vite e gjysmë, dhe ka mundësi të përtëritet vetëm një herë. Këshilli Evropian zakonisht mban takimet e veta në Bruksel. http://www.european-council.europa.eu/

Këshilli i Bashkimit Evropian 

Është organi kryesor vendimmarrës i BE-së. Së bashku me Parlamentin Evropian bartë përgjegjësinë për miratimin e ligjeve të BE-së. Këshilli i BE-së përbëhet nga ministrat e qeverive nacionale të të gjitha shteteve anëtare të BE-së.  Në takime marrin pjesë ministrat përgjegjës për temën që diskutohet. Çdo gjashtë muaj, një shtet anëtar i ndryshëm merr përsipër të presidencën e BE-së, që nënkupton kryesimin e këtyre takimeve dhe përpilimin e agjendës së përgjithshme politike. Presidenca e radhës nuk zbatohet në Këshillin për Politikë të Jashtme i cili kryesohet nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri.  http://www.consilium.europa.eu/ 

Komisioni Evropian 

Është organi ekzekutiv i BE-së dhe përfaqëson interesat e BE-së si tërësi. Përpilon propozime për ligjet e reja evropiane të cilat ia paraqet Parlamentit Evropian dhe Këshillit.  Vë në praktikë politikat e përbashkëta të BE-së dhe menaxhon fondet dhe programet e BE-së. Komisioni gjithashtu luan rolin e "kujdestarit të traktateve" duke u siguruar që të gjithë të respektojnë traktatet dhe ligjet e BE-së. Mund të veprojë kundër shkelësve të rregullave, duke i dërguar në rast nevoje edhe në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë. 

Komisioni përbëhet nga 27 komisionerë – një për secilin shtet anëtarë të BE-së. Presidenti i Komisionit zgjedhet nga 27 qeveritë e BE-së dhe miratohet nga Parlamenti Evropian. Komisionerët e tjerë emërohen nga qeveritë e tyre nacionale në konsultim me presidentin që vjen dhe duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian. Ata nuk përfaqësojnë qeveritë e shteteve nga vijnë. Secili prej tyre është përgjegjës për një lëmi të caktuar të politikave të BE-së. Të gjithë ata emërohen në mandat pesë vjeçar. http://ec.europa.eu/