28 janar 2015
Kerry Moyes ka bërë përparim të madh gjatë shërbimit në Marinën Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar në Belgjikë dhe në Gjibraltar. Interesimi i saj për të drejtën ndërkombëtare e ka inspiruar atë që të vijë në Kosovë. Gjatë një viti e gjysmë të kaluar ajo ka punuar si zyrtare ligjore në Gjykatën Supreme të Kosovës. Por kjo nuk është e tëra: udhëtimi i saj do të vazhdojë meqë ajo do ta lëshoj misionin në fund të muajit mars.
Kjo mund të jetë befasi për ju, por Kerry Moyes nuk është marrë me
drejtësi gjatë pjesës më të madhe të karrierës së saj profesionale. Ajo
ka filluar në Marinën Mbretërore si zyrtare për komunikim në degën e
luftimit, ku është marrë me komunikimet elektronike. Kerry ka shërbyer
në Marinën Mbretërore 20 vjet radhazi, por ajo e dinte që do të
dëshironte ta linte shërbimin në një periudhë të caktuar kohore të jetës
së saj.
"Kam menduar shumë lidhur me atë që do të doja të bëja dhe e kam
shqyrtuar një numër të profesioneve. Por në fund kam vendosur që
drejtësia do të ishte fusha në të cilën do të isha më së shumti e
interesuar. Kështu që vendosa ta aftësojë veten që të merrem me të."
thotë Kerry dhe shton që "Ishte vendim i mirë, i duhur për mua. Nuk mund
ta marr me mend që të bëjë diçka tjetër."
Kerry filloi ta studionte drejtësinë me korrespondencë gjatë kohës që
ende ishte në Marinë. Kur e la shërbimin, ajo u regjistrua në Kolegjin e
Drejtësisë si studente e rregullt për një periudhë një vjeçare për ta
përfunduar kursin e praktikës juridike. Pas kësaj, ajo iu bashkua
shërbimit të gjykatave si juriste praktikante.
"Gjatë dy vjetëve të parë punoni si juriste me kontratë të trajnimit.
Përveç punës suaj të përditshme, duhet po ashtu t'i kaloni disa provime
dhe t'i kryeni disa detyra specifike për ta vërtetuar që e keni kryer
konsolidimin praktik të asaj që keni mësuar", thekson ajo dhe shton: "Në
Mbretërinë e Bashkuar juristët janë të ndarë në dy kategori:
"barristers" (avokatë) dhe "solicitors" (avokatë pa të drejtë
përfaqësimi në gjykatë). Unë jam e kualifikuar për kategorinë e dytë."
Të dy kategoritë e avokatëve duhet ta kryejnë fakultetin e drejtësisë,
por puna e tyre është e ndryshme dhe prandaj trajnimi profesional është
ndryshe. Në përgjithësi, kategoria e parë është e vetëpunësuar në 'Oda'
dhe e kalon pjesën më të madhe të kohës së tyre duke kryer mbrojtje në
gjykatë. Në anën tjetër, kategoria e dytë punon në një varg të gjerë
të fushave juridike dhe zakonisht janë të punësuar në firma.
Para se të vijë në Kosovë, ajo ka punuar 7 vjet në shërbimin e gjykatave
në Angli si këshilltare ligjore në gjykatën e shkallës së parë e cila
është gjykatë themelore në Mbretërinë e Bashkuar. Herë pas here, ajo ka
punuar në gjykatat familjare, por pjesën më të madhe të kohës ajo ka
qenë e përfshirë në gjykatat penale.
Kur ishte ende në Marinë, ajo u emërua në NATO për 3 vjet dhe filloi të
punonte në Selinë Supreme në Mons, Belgjikë. Detyra e saj u përputh me
konfliktet e viteve 1991-94 që e shoqëruan shpërbërjen e
ish-Jugosllavisë. Puna e saj ishte mbrojtja e sigurisë së komunikimit
dhe për disa muaj ajo ishte e përfshirë në mbështetjen e operacioneve të
NATO-s të cilat kryheshin në atë kohë. Ajo ka qenë e interesuar për
Ballkanin që atëherë.
"Po ashtu isha e interesuar që të punojë jashtë vendit dhe qëndrimi në
Kosovë i kombinon të gjitha gjërat për të cilat isha e interesuar:
Ballkanin, të drejtën ndërkombëtar dhe akoma të praktikuarit e të
drejtës penale", thekson ajo.
Në Kosovë Kerry punon në Gjykatën Supreme si njëra prej tre zyrtarëve
ligjorë. Përgjegjësia e saj është t'i mbështesë gjyqtarët e EULEX-it dhe
ata vendas gjatë gjykimit të lëndëve. Ato janë lëndët që përcillen në
Gjykatën Supreme nga gjykatat më të ulëta dhe herë pas here sillen
drejtpërdrejt nga personat e dënuar.
"Unë i marr dosjet e lëndëve, i shqyrtojë ato dhe ofrojë hulumtime për
çështje të ndryshme ligjore kurdo që nevojitet. E përgatis një
përmbledhje të lëndës për gjyqtarët, ua sigurojë të gjitha dokumentet që
ju nevojiten dhe nëse ka seancë apo dëgjim i kryej organizimet për to.
Përndryshe, do të jetë shqyrtim ndërmjet gjyqtarëve në të cilin marr
pjesë po ashtu. Unë zakonisht i përpiloj po ashtu vendimet dhe
aktgjykimet, si edhe dokumentet e tjera për aprovimin e gjyqtarëve"." i
sqaron Kerry detyrat e saj kryesore në EULEX.
Në Kosovë janë tri shkallë të sistemit gjyqësor. Shkalla e parë janë
gjykatat themelore dhe aty vendoset lidhur me rastet. Në gjykata
themelore mbahen po ashtu gjykimet si edhe dëgjimet që çojnë tek
gjykimet. Pas shqiptimit të dënimit në shkallën e parë, mund të
ushtrohet ankesë në gjykatën e apelit. Pastaj vjen shkalla më e lartë, e
cila është Gjykata Supreme. Edhe pse këtu në Kosovë ka edhe Gjykatë
Kushtetuese, sa i përket marrje së formës së prerë të aktgjykimit,
Gjykata Supreme konsiderohet të jetë shkalla e fundit.
Sfida kryesore profesionale me të cilën ajo duhet të ballafaqohet në
Gjykatën Supreme është ngarkesa e punës që duhet të procedohet brenda
një afati të caktuar kohor. Kerry vëren që në mënyrë që kjo detyrë të
ketë sukses, nevojitet shumë kohë dhe përpjekje nga një numër i
njerëzve.
"Më pëlqen të punoj shumë ngushtë me gjyqtarët ndërkombëtarë si edhe me
ata vendas si edhe me kolegët e mi, zyrtarët e tjerë ligjorë. Kjo është
diçka që nuk e kam përjetuar më parë. Nuk kam pasur rast të punojë në
raste të mëdha dhe komplekse të cilat marrin kohë", thotë Kerry duke
theksuar që kjo është njëra prej përparësive më të mëdha të qëndrimit të
saj këtu në Kosovë me EULEX-in.
Kur nuk është duke iu ndihmuar gjyqtarëve të EULEX-it dhe atyre vendas,
Kerry është e lumtur kur mund të udhëtojë përreth në disa vende në
fshatrat e afërta apo kur ka rast ta njohë kulturën vendase dhe
kosovarët.
Megjithatë, sfida më e madhe personale për të është të jetuarit larg nga
familja e saj në Mbretërinë e Bashkuar si edhe idetë lidhur me nivelin
deri te i cili ajo dhe kolegët e saj mund t'i përmirësojnë gjërat.
"Mendoj që shumë njerëz kanë pritje joreale lidhur me atë se sa mund të
ndikojnë në ndryshim, kur vërtetë krejt çka mund të bësh është
kontributi yt personal i vogël. Por çdo copëz është megjithatë e
rëndësishme, sepse çdo copëz e vogël mundet gradualisht të kontribuojë
që përmirësimi të lëvizë përpara drejt ndryshimit përfundimtar pozitiv".
Sfidë tjetër për Kerryn është: "Nuk ka Starbucks në lagje, diçka nga e
cila jam e varur", e pranon ajo duke qeshur.
Pas punës, kur ka pak kohë për vete, ajo përpiqet të shkojë në palestër
së paku dy herë në javë, por do të donte të kishte mundësi të shkonte më
shpesh. Përndryshe, ajo është duke studiuar nga distanca për
magjistraturë në të drejtat e njeriut dhe të drejtën humanitare në
Universitetin Aberystwyth, Uells.
Vetëm së fundi ka kuptuar që duhet ta lëshojë Kosovën në fund të muajit
mars. "Do të më mungojë Kosova", thotë Kerry, "Koha ka kaluar shumë
shpejt dhe më kanë mbetur edhe shumë gjëra të cilat ende nuk i kam bërë
këtu. Do të më mungoj mjedisi kozmopolit i kësaj përzierjeje të shumë
njerëzve të ndryshëm dhe kthimi në Mbretërinë e Bashkuar përsëri do të
jetë mjaft i çuditshëm".
Asaj do t'i mungojnë po ashtu edhe Malet e Sharrit dhe Liqeni i Batllavës, meqë këto janë vendet e saj të parapëlqyera në Kosovë. Por kthimi i saj në shtëpi e ka edhe anën pozitive ajo do të ribashkohet me familjen e saj përsëri.