30 tetor 2020
“Qelia 21”, një tregim autobiografik i një të burgosuri në Finlandë, nxiti dëshirën e jashtëzakonshme të Ritvas nëntëmbëdhjetëvjeçare që të eksplorojë botën sfiduese të shërbimeve korrektuese.
Kur babai i saj, Niilo, i cili punonte në shërbimin e burgjeve të Finlandës, përmendi se ai e njihte autorin e tregimit personalisht, Ritva u gëzua për mundësinë dhe e pyeti babanë e saj për më shumë rrëfime të brendshme për jetën në burgje.
“Shko dhe gjeji rrëfimet vet,” ai e sfidoi Ritvan. Dhe ajo ashtu bëri. Udhëtimi i karrierës së saj në shërbimin korrektues filloi mu atëherë, në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare. Ajo sapo e kishte përfunduar shkollën e lartë dhe synonte të punonte në shërbimin e burgut në Helsinki, i cili ishte burg i mbyllur për meshkuj.
“Atë kohë, fakti se unë isha femër nënkuptonte se për mua ishte e pamundshme të punoja në një burg të meshkujve. Pra, mua mu deshtë të punoja në një burg të femrave. Atë kohë, unë isha zyrtarja korrektuese më e reja në moshë. Dhe ajo ishte shkolla më e vështirë që kisha vijuar.” Ajo përvojë e inkurajoi dhe e inspiroi më tej Ritvan që të zgjedhë profesionin e jetës së saj – një karrierë në sektorin e shërbimit korrektues. Ajo gjithashtu ishte edhe mësim i jetës. Ajo mësoi të buzëqeshë nëpër stuhi dhe të besojë në anën e mirë të botës.
Babai i saj e mbështeti zgjedhjen e saj për ndjekjen e një profesioni të dominuar prej meshkujve dhe ishte i lumtur që Ritva kishte zgjedhur të vazhdonte hapave të tij. Ritva ka studiuar përgjatë viteve dhe tani ka diplomë Master në shkenca shoqërore.
Shumë shpejt kaluan pak vite dhe karakteri sfidues i Ritvas e solli atë në Kosovë. Në vitin 2012, ajo iu bashkua një projekti të binjakëzimit të BE-së si eksperte e fushës për menaxhimin e një grupi punues për zhvillimin e studimeve të specializuara për shërbimet e burgjeve dhe të sprovimit në kurrikulën e studimeve themelore. Si ligjëruese kryesore në Institutin e trajnimeve të shërbimeve të burgjeve dhe të sprovimit në Finlandë, ajo ka trajnuar edhe staf të Shërbimit Korrektues të Kosovës në lidhje me vlerësimin e të burgosurve dhe teknikat e intervistimit motivues. Nga viti 2016 deri në vitin 2019, ajo ka punuar si këshilltare rezidente e binjakëzimit në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike që mbulon fushën e Policisë së Kosovës, Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shërbimit Sprovues të Kosovës, Doganës së Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave dhe të Inspektoratit Policor të Kosovës.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ishte sfidë profesionale për Ritvan dhe e tërhoqi atë që të qëndronte dhe të vazhdonte të punonte këtu. Por, kur flet për arsyen kryesore për vendimin e saj për të qëndruar në Kosovë, ajo e thotë pa ngurrim: “Më duket shumë sfiduese dhe motivuese. Ende ka shumë punë për t’u bërë dhe mjaft gjëra kanë nevojë të përmirësohen.”
Ritva ka një vit që është Udhëheqëse e Njësisë Korrektuese të EULEX-it. Megjithatë, bashkëpunimi i saj me EULEX-in daton qysh në vitin 2010, vetëm dy vite pasi Misioni ishte themeluar. Në atë kohë, ajo ishte nikoqire e një vizite studimore të një grupi nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në Finlandë, si pjesë e një projekti të shkallës së vogël të EULEX-it. Ajo gjithashtu ishte edhe ligjëruese e jashtme në një projekt tjetër të vogël të EULEX-it në vitin 2015.
“Atëherë unë kurrë nuk e kisha menduar se do të bëhesha pjesë e familjes së EULEX-it,” kujton ajo. Megjithatë, u shfaq një mundësi në EULEX dhe Ritva menjëherë e kapi, pa u menduar dy herë.
“Për mua nuk ka ditë tipike, çdo ditë është e ndryshme. Nëse do të kisha qëndruar në zyrë tërë kohës sigurisht se do të ishte punë rutinore. Por, unë kam zgjedhur që të jem në teren sa më shumë që mundem në mënyrë që të kem mundësinë të shfaqi mbështetje për ekipin tim dhe stafin menaxherial të Shërbimit Korrektues të Kosovës. Unë po ashtu punoj shumë për të siguruar që bashkërendimi ynë me parterët e tjerë ndërkombëtarë, si Programi Ndërkombëtar i Asistencës së Trajnimeve Hetimore Penale (ICITAP), UNMIK-u dhe OSBE-ja, të jetë në nivel të kënaqshëm për të mirën e secilit, në veçanti për të mirën e homologëve tanë vendas.”
Me prejardhje nga Finlanda, shtet me shërbimet korrektuese më të avancuarat, Ritva punon për zbatimin e praktikave më të mira dhe standardeve evropiane këtu, në Kosovë. “Kjo nuk është punë e lehtë, por më duhet të them se Shërbimi Korrektues i Kosovës është një prej më të mirëve në rajon. Unë mendoj se e tërë puna që EULEX-i bënë me Shërbimin Korrektues të Kosovës sigurisht se ka patur ndikim te kjo e arritur.”
Synimi i saj i radhës si Udhëheqëse e Misionit në Njësinë Korrektuese është që t’i ndihmojë Shërbimit Korrektues të Kosovës që të zbatojë planin e kontingjencave për udhëzimet për reagim ndaj incidenteve/tentimeve të vetëvrasjeve/vetëvrasjeve dhe vdekjeve në burgje, i cili është hartuar së bashku me Njësinë Mjekësore të EULEX-it dhe i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës. Mbështetja për vlerësimin e të burgosurve dhe planifikimin e dënimeve po ashtu është temë me shumë rëndësi në të ardhmen e afërt. Përveç kësaj, programet rehabilituese shprehimore dhe të strukturuara janë shumë të nevojshme. Këto programe kanë qenë pjesë e një projekti të binjakëzimit të BE i cili ka përfunduar në shkurt dhe hapat e radhës për mbështetjen e programeve të tilla i janë dorëzuar Njësisë Korrektuese të EULEX-it. “Kjo ndoshta është sfida më e madhe, dhe për zbatimin e duhur të këtyre programeve nevojiten vite. Ne duhet të punojmë për recidivizmin, por njerëzit janë kryesisht të përqendruar në sigurinë dhe parrezikshmërinë, çka natyrisht se është baza për një shërbim korrektues të mirë dhe rehabilitim të të burgosurve,” shpjegon Ritva.
Në botën e saj private, përveç sportit, gatimi është pasion i madh i Ritvas. “Unë e dua ushqimin e mirë. Mua më pëlqen që të gatuaj për veten dhe miqtë e mi që i kam këtu. Ne mblidhemi dhe gatuajmë ushqime finlandeze dhe festojmë festa kombëtare. Është një lloj shtëpie larg shtëpisë,” thotë Ritva.
Larg shtëpisë, çka i pëlqen më së shumti në Kosovë? “Njerëzit. Ata janë aq miqësorë. Dhe ushqimi. Dhe natyrisht, makiatot, që janë më të mirat në botë,” thekson duke buzëqeshur.
Kur kthehemi në kohën kur ajo kishte vendosur t’i bashkohej kësaj fushe sfiduese të punës, Ritva me mburrje thekson:
“Unë jam dëshmia e gjallë që femrat mund të kenë karrierë të përmbushur në këtë sektor të dominuar prej meshkujve. Disa herë gjatë këtyre viteve unë kam qenë gruaja e parë që e ka mbajtur pozitën.”
Le të shërbejë kjo si zë për femrat në Kosovë dhe gjëkundi se çdo gjë është mundshme nëse përkushtohesh me zemër, punon dhe studion shumë, dhe më e rëndësishme, bënë çdo gjë me pasion të jashtëzakonshëm.