31 mars 2015
E lindur dhe e rritur në Vjenë, Violeta Demaj kurrë nuk i ka harruar rrënjët e saj shqiptare. Në fund kjo e solli prapë në Kosovë, në vendlindjen e babait të saj.
Situata politike në ish-Jugosllavi e detyroi të atin e Violetës që të emigrojë nga Kosova në fund të viteve të gjashtëdhjeta. Si fëmijë ajo e vizitoi Kosovën herë pas here por nuk ka mundur ta marrë me mend që një ditë do të jetonte në Ballkan. Deri sa ishte duke u rritur, vizitat e saj u bënë më sporadike dhe më të rralla për shkak të tensioneve dhe të konfliktit por lidha e saj e ngushtë me Kosovën mbahej gjallë meqë i ati i saj insistonte në edukimin dygjuhësh. Prej kur kam ardhur këtu tetë vjet më parë shqipja ime është përmirësuar vazhdimisht thekson Violeta.
Gjatë studimeve për drejtësi në Vjenë, Violeta filloi të interesohet për fushën e të drejtave të njeriut. Që nga atëherë ajo ka vendosur që karrierën e saj profesionale tia kushtojë kësaj çështjeje, duke e plotësuar kualifikimin e saj akademik me përvojë praktike. Jam angazhuar në OJQ të ndryshme të vendosura në Vjenë. Me Amnesty International e kam monitoruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në disa vende. Deri sa isha duke punuar për Helping Hands, ju kam ndihmuar azilkërkuesve, thotë ajo.
Deri sa merrej me azilkërkuesit në Austri, Violeta punoi me emigruesit kosovarë të cilëve ju ishte refuzuar kërkesa për azil por të cilët nuk mund të riatdhesoheshin për shkak të ligjit austriak. Kjo ishte hera e parë kur ajo u njoh me Kosovën.
Ai ishte vetëm fillimi i njohjes së problemeve të Kosovës më në thellësi. Violeta vazhdoi me studimet e saj të doktoratës në Institutin për të Drejtat e Njeriut Ludwig Boltzmann në Vjenë. Nuk ishte rastësi që punimi i saj i diplomës ishte i përqendruar në statusin juridik të Kosovës në kuadër të rendit kushtetues të Jugosllavisë, në veçanti duke i pasur parasysh mospajtimet ndërmjet teorisë dhe zbatimit praktik.
Ajo sqaron që duke u bazuar në analizën e saj, ajo paraqiti rekomandime lidhur me atë se çka duhet të përfshijë statusi i Kosovës duke e pasur parasysh këndvështrimin e vullnetit dhe aspiratat e popullsisë vendase. Në ndërkohë situata politike ndryshoi dhe Kosova shpalli pavarësinë e saj më 2008. Për rrjedhojë ndryshoi edhe punimi i diplomës i Violetës për doktoratë. Kishte një moment kur Violeta mendonte që punimi i saj i diplomës nuk do të përfundonte kurrë si pasojë e realitetit që ndryshonte vazhdimisht. Megjithatë, ajo vazhdoi të punonte në këtë punim dhe ia doli ta përfundojë dhe ta publikojë atë.
Në mars të vitit 2007 ajo u kthye në Kosovë të punoj në Misionin e OSBE-së në Kosovë si zyrtare për të drejta të njeriut/dimension njerëzor. Unë i kam monitoruar institucionet publike në nivel komunal lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e standardeve përkatëse nga ana e zyrtarëve komunalë, sqaron Violeta. Kontrata ime e parë ishte për një vjet por pas muajit të parë desha të kthehem në shtëpi menjëherë, ishte shumë ndryshe prej asaj që kisha pritur, qeshë ajo. Unë isha në Prishtinë disa herë më parë për projekte të ndryshme, por çdo herë qëndroja vetëm një ose dy javë dhe kthehesha përsëri në Austri. Kështu që kur erdha këtu në mision me gjithë ato procedura, me radio dore, me raporte që duhet të plotësoheshin, e zbulova që nuk më pëlqente! shton ajo.
Pas disa muajve të jetuarit në Kosovë, ajo përjetoi disa momente dobësie dhe mendoi të kërkonte nga autoritetet që e kishin dërguar këtu që ta kthejnë përsëri në Vjenë. Violeta punonte në Gjakovë ku shpesh kishte ndërprerje të rrymës. Shumë shpesh ndodhte që kur kthehesha në shtëpi nga puna dhe filloja ta përgatis ushqimin ndalej rryma në mes të zierjes së ushqimit. Nuk kishte ndonjë orar të caktuar kur njerëzit mund të prisnin se do të ndalej rryma; ndërprerja mund të ndodhte në çdo kohë të ditës. Ishte shumë më ndryshe se në Austri dhe ishte shumë vështirë për mua që të mësohesha me këto kushte të reja, arsyeton ajo.
Pastaj filloi të mendojë që qytetarët e Kosovës përballeshin me të gjitha këto vështirësi dhe vendosi që edhe ajo duhet ta bënte këtë. U turpërova që doja ti shkruaja zyrës time për tju thënë që nuk mund të qëndroja këtu për shkak të ndërprerjes së rrymës. Kështu që vendosa të kaloja nëpër gjithë këtë dhe ta shfrytëzoja qëndrimin këtu sa më mirë. përfundon Violeta. Në fund ajo kaloi 7 vjet në Kosovë duke mbajtur pozita të ndryshme dhe duke punuar në komuna të ndryshme e cila gjë u dëshmua të jetë një përvojë e këndshme. Violeta vizitoi shumë vende që përndryshe nuk do të mund ti zbulonte kurrë.
Pasi u kthye në Vjenë ajo vendosi të aplikojë për një pozitë në EULEX dhe ia doli mbanë. Kështu që ajo u kthye në Kosovë dhe filloi të punojë me Zyrën e EULEX-it për të Drejta të Njeriut dhe Çështje Ligjore ku u mor me çështje të ndryshme ligjore/të drejtave të njeriut. Detyra ime kryesore ishte përpilimi i përgjigjeve në pyetjet drejtuar Panelit Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut (PSHDNJ) i cili është një organ i pavarur që merret me ankesat e personave që pohojnë se kanë qenë viktimë e shkeljeve të drejtave të njeriut nga EULEX Kosova gjatë kryerjes së mandatit të tij ekzekutiv. Disa prej këtyre rasteve kishin të bënin me të drejtat pronësore dhe me uzurpimin e paligjshëm të objekteve apo të patundshmërive të ndryshme. thekson Violeta, duke shtuar që zyra e saj e këshillonte shefin e Misionit EULEX lidhur me çështje të ndryshme, deri sa po ashtu organizonte trajnime për të drejtat e njeriut si pjesë e seancave të udhëzimit për të sapoardhurit dhe për pjesëtarët e forcave policore.
Violetës i dukeshin ankesat për çështje pronësore posaçërisht interesante kështu që e shfrytëzoi rastin që të aplikojë për pozitën e shefes së Zyrës të Komisionit të Kërkesave Pronësore të Kosovës, KKPK. Punësimi në këtë pozitë ishte një mundësi e madhe për Violetën që të njoftohej me hollësitë e KKPK dhe të procedurës së tij lidhur me numrin e madh të ankesave, e cila ishte diçka që i mungonte në përvojën e saj profesionale. Ishte po ashtu rasti i fundit për të parë si funksiononte Zyra e KKPK meqë mandatit të saj po i vinte fundi. Pasi që filloi ta kryente punën e saj të re Violeta zbuloi që do të kishte rast të punonte me ankesat më të komplikuara dhe më komplekse për të cilat duhet të vendosej në fund të programit të kthimit të cilin e udhëhiqte Agjencia Pronësore e Kosovës dhe Komisioni i Kërkesave Pronësore të Kosovës.
Deri sa punonte në Zyrën e KKPK, VIoleta nuk e kryente vetëm punën e shefit të zyrës, siç është kryerja e obligimit të raportimit apo menaxhimi i stafit, ajo në të vërtetë merrte pjesë në vendosjen për çështjet ligjore që paraqiteshin në ankesat që shqyrtoheshin dhe pastaj përgatiste vendimet për Komisionin. Meqë i pëlqen kontakti i drejtpërdrejt me njerëz, ajo merrte pjesë në seancat dëgjimore, të cilat mbaheshin herë pas here nga KKPK lidhur me disa raste komplekse. Ishte përvojë unike të ishte vëzhguese e disa situatave të jashtëzakonshme të cilat ndodhnin nganjëherë gjatë disa seancave dëgjimore.
Nganjëherë njerëzit, të cilët ishin fqinj para luftës, pajtoheshin me njëri tjetrin dhe nuk mund të vëreje kurrfarë ndjenje armiqësore ndërmjet tyre. Kjo tregonte sa e rëndësishme ishte tua jepje njerëzve rastin që ti shprehnin ndjenjat e tyre. Pas secilës ankesë duket se ka shumë më shumë se vetëm dokumente, domethënë tregime personale të individëve të posaçëm, thotë Violeta.
Violeta e din që është me fat që e flet gjuhën shqipe. Nuk më nevojitet përkthyes. Duke qenë ndërkombëtare, por që e njeh gjuhën shqipe, kam mundur të vij në këtë vend dhe në kulturën e tij pa problem, shton ajo. Për të është përparësi e madhe ti shoh reagimet e drejtpërdrejta në fjalët e saj ashtu që ato të mos humbin në përkthim.
Mandati i KKPK ka përfunduar me gjykimin e të gjitha 42,000 ankesave dhe Zyra e KKPK nuk do të ekzistojë më prej datës 31 mars. Por ky nuk është fundi i aventurës së Violetës me Kosovën. Ajo do të kthehet përsëri të punojë me Zyrën e EULEX-it për të Drejta të Njeriut dhe Çështje Ligjore. Ajo mezi pret ta fillojë detyrën e saj të re me entuziazëm të madh.