Gratë në sundimin e ligjit

“Mos e mbroj vetëm vajzën, por edukoje edhe djalin! Pa ngritjen e ndërgjegjësimit edhe në mesin e djemve dhe burrave, zgjidhja e këtyre problemeve është e pamundur!” – Lexoni rrëfimin e Aylin Sozen, monitoruese tematike kryesore e EULEX-it për rastet e dhunës në baza gjinore

30 nëntor 2021

Raporti prej 1 në 3 i grave që janë viktima të dhunës në baza gjinore në Kosovë flet për një nevojë urgjente për adresimin e kësaj çështjeje alarmante përmes qasjes të përfshirjes së tërë shoqërisë, që përfshinë tërë sistemin e drejtësisë. Për të kontribuar në këtë aspekt, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka caktuar një monitoruese kryesore tematike për rastet e dhunës në baza gjinore, e cila bënë monitorimin e përditshëm të trajtimit të rasteve të dhunës në baza gjinore nga ana e policisë, prokurorisë dhe gjykatave. 

Aylin Sozen është zyrtare policore nga Gjermania, e cila iu bashkua Misionit në prill të këtij viti. Që nga angazhimi i saj në Mision, ajo bënë monitorim të përditshëm të rasteve të përzgjedhura të dhunës në baza gjinore: “Ne i përzgjedhim rastet që duhet t’i përcjellim në bazë të raporteve që na vijnë nga policia, prokuroria dhe gjykatat. Pastaj ne i monitorojmë rastet e përzgjedhura përgjatë tërë zinxhirit të sistemit të drejtësisë penale. Ne diskutojmë me homologët tonë nga fusha e sundimit të ligjit rreth praktikave më të mira dhe ne shikojmë nëse ka çështje specifike që duhet të adresohen,” shpjegon Aylin. 

Është hera e parë që ajo është në Kosovë dhe hera e parë që punon në një mjedis ndërkombëtar. Megjithatë, duke e pasur parasysh se Aylin është me prejardhje nga Turqia, ky vend asaj i duket shumë i njohur: “Kultura, njerëzit dhe disa qytete janë të ngjashme me Turqinë, kështu që mu në javën time të parë këtu unë u ndjeva si në shtëpi.” 

Para se t’i bashkohej EULEX-it, Aylin punoi për Policinë e Gjermanisë në Vestfalinë e Rajnës së Veriut për 19 vite. Si zyrtare policore gjermane, fusha e dhunës në baza gjinore nuk ishte territor i panjohur për të edhe para se të bëhej monitoruese kryesore e Misionit për rastet e dhunës në baza gjinore. “Në Gjermani zyrtarët policorë si unë janë reaguesit e parë në të gjitha rastet e dhunës në baza gjinore që raportohen në polici. Përveç kësaj, unë isha përgjegjëse për procedurat e vlerësimit të rrezikut për viktimat, andaj mund të them se unë kam trajtuar këto çështje çdo ditë të punës sime”, kujton ajo. 

Duke folur për sistemin e policisë dhe mënyrën e strukturimit të saj për reagim ndaj rasteve të dhunës në baza gjinore, Aylin gjen disa ngjashmëri mes Kosovës dhe Gjermanisë: “Standardet në Kosovë janë të larta, Policia e Kosovës ka procese të standardizuara, procedura për vlerësimin e rrezikut për viktimat, urdhra të mbrojtjes, etj. Këta janë hapa të njëjtë me ata që ne i ndërmarrim në Gjermani me rastin e trajtimit të rasteve të dhunës në baza gjinore.” Diçka e rëndësishme që Aylin e sheh në Kosovë është “Zyra për mbrojtje dhe avokim për viktima”, sistem ky që nuk ekziston në Gjermani. “Unë besoj se kjo zyrë është shumë e dobishme sepse viktimat e dinë ku të kërkojnë ndihmë. Kjo zyrë po ashtu iu ndihmon viktimave që t’i mësojnë të drejtat e tyre dhe siguron që viktimat që janë të moshës së mitur mbështeten dhe shoqërohen nga zyrtarët e mirëqenies sociale,” thotë Aylin.

Meqë tani gjendemi pothuajse në mesin e fushatës së këtij viti “16 Ditë aktivizëm kundër dhunës në baza gjinore”, Aylin theksoi disa faktorë që shpijnë në dhunën në baza gjinore. “Faktorët socio-ekonomik dhe kulturor në mënyrë të pashmangshme i kontribuojnë këtij fenomeni negativ. Po ashtu është shumë e rëndësishme të njihen rolet e grave dhe burrave në shoqëri. Për shembull, nëse burrat veprojnë si mbajtësit kryesor të familjes dhe gratë nuk kanë qasje në të drejtat themelore dhe ekonomike të njeriut, kjo mund të shpije në dhunë në baza gjinore për shkak të disbalancës së fuqisë në marrëdhënie,” thekson Aylin. 

EULEX-i është duke punuar në nivele të ndryshme të sistemit të sundimit të ligjit për trajtimin e rasteve të dhunës në baza gjinore, duke filluar nga niveli më i lartë, d.m.th. përmes ofrimit të mbështetjes dhe këshillimeve në proceset e hartimit të ligjeve. “Ne jemi pjesëmarrës aktiv në grupe punuese për hartimin e procedurave të reja standarde të operimit (PSO). Për shembull, ne kemi kontribuar në krijimin e PSO për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe në baza gjinore nga institucione të ndryshme dhe ofrues të shërbimeve. Një nivel tjetër i përfshirjes së Misionit është bashkëpunimi me policinë, gjykatat, OJQ-të, dhe strehimoret për viktimat e dhunës në baza gjinore”, shpjegon më tej Aylin. 

Duke diskutuar rreth rëndësisë së përfshirjes së burrave në angazhimet për eliminimin e dhunës në baza gjinore, Aylin thekson: “Kjo me të vërtetë është një prej gjërave më të rëndësishme. Kohëve të fundit dëgjova një thënie shumë të mirë: “Mos e mbroj vetëm vajzën, por edukoje edhe djalin!’ Pa ndërgjegjësim edhe në mesin e djemve dhe burrave, zgjidhja e këtyre problemeve është e pamundur.” 

“Për të arritur barazinë, është shumë esenciale të kemi mundësi të barabarta dhe të drejta të barabarta. Për këtë arsye është jashtëzakonisht e rëndësishme që jo vetëm të ngritët ndërgjegjësimi në mesin e vajzave dhe grave që ato duhet të jenë të barabarta dhe të kërkojnë të drejta të barabarta. E njëjta gjë duhet të bëhet edhe në mesin e djemve dhe burrave,” thekson me vendosmëri Aylin. 

Drejt fundit të intervistës, Aylin po ashtu përmend se “ndryshimi i mentalitetit të shoqërisë duhet të bëhet sistematikisht përmes ndërgjegjësimit të barazisë gjinore dhe përmes përfshirjes së çështjeve gjinore në të gjitha nivelet e shoqërisë. Kjo është çështje që duhet të trajtohet dhe të diskutohet çdo ditë. Ndonëse fushatat ‘16 Ditë të aktivizmit’ janë shumë të mira dhe kanë efekt, ato nuk janë të mjaftueshme. Angazhimet për ndërgjegjësim duhet të zhvillohen çdo ditë.”  

Aylin na lë me energji pozitive duke theksuar se vajzat dhe djemtë duhet të kenë mundësi dhe raste të barabarta në jetë, dhe çka është më e rëndësishmja, se ata duhet të kenë lirinë e zgjedhjes së roleve të tyre në shoqëri.