29 korrik 2022
Kredit për fotografi: Policia e Kosovës
Të jesh në pozitën e komandantit të Stacionit Jugu të Policisë së
Kosovës, Drejtoria Rajonale e Kosovës, është sfidë unike, dhe Vjollca
Hoti, e cila këtë pozitë e mbanë për tri vite tani, ia del me atë sfidë.
Stacioni Jugu i Policisë së Kosovës mbulon një pjesë të rëndësishme të
Prishtinës, dhe aty trajtohen kërkesa të shumta të qytetarëve në lidhje
me sigurinë, dhe, meqë roli i saj është operacional ajo është në detyrë
24/7, çka e pamundëson parashikimin e kthimit në shtëpi të Komandantes
Vjollca.
“Stacioni ynë policor ka specifika dhe nevoja unike. Numri i kërkesave
që na vijnë është shumë i madh nga fakti se ne mbulojmë një pjesë të
rëndësishme të Prishtinës, ku përfshihet edhe zona e Qendrës Klinike
Universitare të Kosovës, andaj aktivitetet policore në teren për
parandalimin dhe luftimin e krimit gjatë tërë ditës dhe natës janë të
shumta për nga numri,” thotë Komandante Hoti.
Rastet për të cilat ajo duhet të jetë në vendin e ngjarjes dhe rastet të
cilat ajo i udhëheqë janë raste të rënda, si ato ku jeta e njeriut
është në rrezik, apo rastet që përfshijnë eksplozivë, e të tjerë. “Kur
shkalla e rrezikut është më e lartë se zakonisht, unë jam aty,” shpjegon
ajo.
Në shumë raste, me qëllim të ndriçimit të së vërtetës, bashkëpunimi me
qytetarë dhe besimi i tyre në Policinë e Kosovës është esencial: “Unë e
vërej drejtpërdrejtë dhe e ndjej besimin e qytetarëve tanë në praktikë.
Ky besim është arritur përmes bashkëpunimit dhe profesionalizmit që
Policia e Kosovës ka dëshmuar në zgjidhjen e problemeve dhe krijimin e
një mjedisi të sigurt. Vetëdijësimi i qytetarëve rreth sigurisë dhe
parrezikshmërisë në përgjithësi është po ashtu i lartë. Siguria është
jetike për jetën e të gjithëve.”
Nuk janë të shumta ato gra që punojnë në udhëheqjen e sektorit
operacional të Policisë së Kosovës. Në fakt, për momentin Vjollca Hoti
është komandantja e vetme grua që udhëheqë një stacion policor kaq të
madh në sektorin operacional të kësaj force. Një grua tjetër në pozitën e
komandantes në një fushë të ndryshme të policisë punon në Njësinë
rajonale të trafikut në Gjilan.
Sipas Komandantes Hoti, një prej arsyeve kryesore pse gratë hezitojnë të
ndjekin këtë lloj të karrierës është orari i gjatë dhe natyra e punës:
“Shkalla e rrezikut është po ashtu një prej arsyeve kryesore që i pengon
gratë të bëjnë karrierë në forcën policore. Megjithatë, unë prap
mendoj se në të ardhmen më shumë gra do të marrin përsipër role të mëdha
sikur ky i imi. Unë i inkurajoj gratë që të aplikojnë dhe të synojnë
për këtë lloj të karrierës, ngase është shumë shpërblyese. Rezultatet e
punës suaj të madhe shihen çdo ditë.”
Fytyra e saj ndritë kur vazhdon bisedën për mundësitë dhe rastet për
mbrojtjen e njerëzve, zbatimin e ligjit dhe arritjen e drejtësisë për
njerëzit në secilën ditë: “T’u ndihmosh njerëzve të zgjidhin problemet e
tyre, dhe mbi të gjitha t’u ofrosh atyre siguri ka po aq rëndësi sa
edhe shëndeti. Dhe në botën në të cilën jetojmë ditëve të sotme,
shëndeti dhe siguria shkojnë paralel, dhe unë i konsideroj ato jetike
për një jetë normale dhe cilësore. Kjo është arsyeja pse unë besoj se
çdo grua që dëshiron të jetë zyrtare policore dhe që është e gatshme të
punojë 24/7 mund të ketë këtë lloj pozite udhëheqëse dhe sfiduese.”
Forca policore është profesion karriere. Ekzistojnë grada të shuma nëpër
të cilat është mundësia e avancimit, nga kadeti deri në gradën kolonel.
Por gradat nuk janë opsioni i vetëm për zhvillimin e karrierës. Forca
policore po ashtu ofron pozita të shumta të tjera nëpër njësitë
operacionale, hetimore dhe administrative. “Krahas mundësive për
zhvillim në forcën policore, më duhet të përmend se Policia e Kosovës ka
prodhuar figura prominente të sektorit të zbatimit të ligjit në Kosovë,
siç është presidentja e parë grua e Kosovës, znj. Atifete Jahjaga”,
thekson me krenari Komandante Hoti.
Aktualisht në ekipin e saj bëjnë pjesë 54 gra, që përbëjnë 27% të forcës
policore në Stacionin Jugu të Prishtinës. Sipas saj, synimi është që të
arrihet një përfaqësim i barabartë i burrave dhe grave në ekip, duke
theksuar që gratë të cilat tashmë janë pjesë e ekipit kanë bërë punë të
jashtëzakonshme për Policinë e Kosovës. “Në ekipin tonë ka gra që kanë
punuar në këtë stacion për më gjatë se 20 vite. Për shembull, kolegeja
ime Rreshtere Nekibe Bajraktari që është pjesë e Policisë së Kosovës për
më gjatë se 20 vite dhe është një prej atyre që kanë ndihmuar në
themelimin dhe zhvillimin e stacionit tonë. Ajo është shembull për të
gjithë ne.” Një e arritur e rëndësishme për gratë e Policisë së Kosovës
është themelimi i Shoqatës së Grave në Policinë e Kosovës, ku Komandante
Vjollca është nënkryetare, qëllimi i së cilës është fuqizimi i rolit të
grave në Policinë e Kosovës. Kjo synohet të arrihet përmes trajnimeve
dhe mundësive për zhvillimin e karrierës, mbështetjes profesionale dhe
avokimit të mbështetjes gratë për gratë.
Vjollca është nënë e tre fëmijëve, më i vogli vetëm pesëvjeçar. Detyra e
punës së saj shpesh paraqet sfidë kur ajo nuk mundet të jetë në shtëpi
për shumë orë, dhe, për të shtuar sfidën, edhe bashkëshorti i saj punon
në Policinë e Kosovës. “Fatmirësisht, nëna ime gjithnjë ka qenë
shpëtimtarja ime dhe mekanizmi mbështetës më i madh në përkujdesjen për
fëmijët e mi gjatë kohëve më të vështira.”
Kur flet për sigurinë e saj gjatë kohës sa është në teren dhe e
angazhuar me krime të rënda, Vjollca ka ndjenja të përziera: “Në njërën
anë, nëse e humbi jetën në krye të detyrës fëmijët e mi do të vuajnë -
nëna është e pazëvendësueshme. Në anën tjetër, ajo është diçka heroike
dhe pjesë e punës sime, dhe unë kam qenë në dijeni për rreziqet kur i
jam bashkuar policisë para 22 viteve. Në fund, është dashuria dhe
pasioni për punën time që më kanë ndihmuar të tejkaloj frikën dhe
mëdyshjet.”
Nga pikëpamja profesionale, Vjollca e gjen përmbushjen e saj më të madhe
tek suksesi i arritur nga ekipi i saj: “Me lehtësi mund të them se sot
unë shkëlqej në saje të ekipit tim. Momentalisht, ekipi im përbëhet prej
203 personave dhe kur i shoh tek kryejnë detyrat e tyre me dashuri, kur
shoh tek ta përkushtimin për të ofruar mjedis të sigurt për komunitetin
tonë, ata janë motivimi im më i madh. Po kaq shumë ne motivohemi edhe
nga qytetarët tanë, ngase ata bashkëpunojnë me ne dhe na ndihmojnë të
parandalojmë dhe zgjidhim krime që në përgjithësi jeta e tyre të jetë më
e sigurt.”
Të kesh ekip të përbërë prej kolegëve që e duan punën e tyre nuk është e
rastësishme. Menaxheri i mirë është kontribuuesi kryesor i një mjedisi
të shëndoshë të punës. Në këtë kuptim, Vjollca thotë se stili i saj i
menaxhimit është të jesh pjesë e ekipit: “Unë bisedoj me secilin anëtar
të ekipit dhe jam e gatshme të pranoj çdo këshillë dhe rekomandim që ata
mund të kenë e që do të ishte në të mirë të situatës së sigurisë. Çdo
ditë unë filloj me mendim pozitiv dhe besim se ekipi im është duke bërë
një punë madhështore, andaj edhe del të jetë ashtu. Unë jam person
optimist që përqendrohet tek cilësitë e të tjerëve, e di si t’i vlerësoj
dhe pranoj rezultatet e mira që ekipi im prodhon duke i trajtuar të
gjithë barabartë.”
Tensioni dhe stresi janë pjesë normale e detyrës së saj. Si e parandalon
Vjollca stresin nga reflektimi tek pjesëtarët e ekipit të saj?
“Unë kam një metodë të veçantë: Gjithnjë përmbahem nga britmat. Atë
energji e shfrytëzoj për t’u përqendruar në zgjidhjen e problemit dhe të
siguruarit se palët e përfshira ta kenë të qartë se çfarë është duke
ndodhur dhe se si ne jemi aty për t’i mbrojtur dhe shërbyer njerëzve
gjithnjë në pajtim me ligjet përkatëse që janë në fuqi.”
Një fakt shumë interesant për Komandante Vjollca Hoti, është se ajo
është pjesëtarja e vetme e Policisë së Kosovës që ka pranuar çmimin
ndërkombëtar për trimëri – medalje e trimërisë, që i është ndarë gjatë
konferencës së 53-të të Shoqatës ndërkombëtare të grave në polici në
vitin 2015. Ky çmim erdhi pasi Vjollca dhe kolegët e saj me trimëri dhe
sukses reaguan për shpëtimin e jetëve gjatë një grindjeje të armatosur
mes disa civilëve. Përgjatë viteve të punës, ajo po ashtu përmend se
Policia e Kosovës ka gëzuar bashkëpunim profesional të mrekullueshëm me
EULEX-in përmes trajnimeve dhe vizitave studimore të ndryshme ku janë
ndarë praktikat më të mira evropiane.
Kur ajo nuk është e angazhuar me aksionet policore, Vjollca bënë ecje
nëpër male dhe lexon libra për të menduarit pozitiv, çka, siç thotë ajo,
e kanë ndihmuar atë shumë për ta parë jetën ndryshe dhe për t’u
përqendruar në gjërat pozitive që jeta ka për të ofruar.
Kur hedh një shikim në njëzetvjetshin e saj, si grua e fuqishme në
sektorin e sigurisë, Vjollca do të thoshte që asnjëherë të mos hiqte
dorë dhe të kishte besim tek vetja, pavarësisht rrethanave. Si avokuese e
fortë për fuqizimin e grave, ajo besoj se për gratë është e rëndësishme
t’ia rregullojnë kurorat njëra-tjetrës dhe të mbështesin njëra-tjetrën
në çdo hap të rrugës.