10 dhjetor 2023
Në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, bëmë një bisedë me Këshilltaren për të drejtat e njeriut në Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Valentina Vitali, e cila na dha një perspektivë ndryshme mbi të drejtat e njeriut dhe punën e Misionit.
Një avokate e apasionuar për të drejtat e njeriut, Valentina u lind dhe u rrit në Romë, Itali, dhe i përfundoi studimet në shkenca politike dega e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe çështje të Be-së në Universitetin LUISS në Romë. Më vonë, ndërsa punonte jashtë vendit, ajo u diplomua gjithashtu për juridik.
Ajo gjithherë e ka ditur se rrugëtimi i jetës do të përfshinte eksplorimin e botës, dhe njëkohësisht përpjekjet për ndikim pozitiv në jetën e njerëzve: dhe rrugëtimi i karrierës në fushën e të drejtave të njeriut asaj iu duk si diçka shumë e natyrshme.
“Koncepti i të drejtave të njeriut është shumë i gjerë dhe i ndërlikuar meqë nënkupton edhe obligime për respektimin, mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturoe, të parapara me të drejtën ndërkombëtare me traktate dhe shumë instrumente tjera juridike”, shpjegon Valentina.
Si Misioni më i madh i Politikës së Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje të Bashkimit Evropian, EULEX-i integron të drejtat e njeriut në punën e tij të përditshme si dhe në strategji: “Ne jemi të zotuar për integrimin e të drejtave të njeriut në çdo gjë që e bëjmë. Kjo është ajo që quhet ‘përfshirja e të drejtave të njeriut’. E tëra fillon duke e pranuar se të drejtat e njeriut i takojnë çdokujt, çdo kund dhe në çdo kohë dhe se ato nuk janë vetëm një parim i mirë në një copë letër, por ato faktikisht përfshijnë, në një anë, të drejta konkrete për individët, kurse në anën tjetër, edhe obligime për institucionet”, thotë Valentina.
Pikënisja e punës së EULEX-it konsiston në identifikimin e asaj se cilat të drejta të njeriut ndërlidhen me pjesët e ndryshme të mandatit të tij, çfarë të drejtat kanë njerëzit në Kosovë, dhe cilat janë obligimet korresponduese të institucioneve përkatëse.
“Kur të jetë e qartë se për cilat të drejta bëhet fjalë, ne duhet të kuptojmë se çka pritet prej institucioneve përkatëse të bëjnë për realizimin e tyre në praktikë: si mund ne, si Mision me mandat specifik, të kontribuojmë për realizimin e tyre dhe si reflelkton kjo në jetën e njerëzve të prekur”, thekson Valentina, duke dhënë një shembull: “Një pjesë e rëndësishme e mandatit tonë është puna e bërë prej ekspertëve të EULEX-it, së bashku me homologët tanë vendorë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për gjetjen e fatit të personave të zhdukur. Në këtë rast, flasim për të drejtën e familjarëve që të dinë se çka u ka ndodhur më të dashurve të tyre dhe përmbushja e kësaj të drejte për të gjitha familjet është qëllimi ynë”.
Të drejtat e njeriut prekin mbi çdo aspekt të jetës sonë. Siç e thotë Valentina: “Çdo moment i jetës sonë është gëzim apo mosgëzim i të drejtave tona. Nëse institucionet janë përgjegjëse për realizimin e këtyre të drejtave, është e rëndësishme që njerëzit të jenë në dijeni për të drejtat e tyre dhe të ngrihen kur ato nuk respektohen”.
Zbatimi i të drejtave të njeriut në praktikë mund të jetë sfidë. Në teori mund të ketë ligje të përsosura por, sipas Valentinës, nganjëherë pikëpamjet që vijnë nga të ashtuquajturit titullarët e të drejtave është e ndryshme, sepse çfarë ata përjetojnë në fakt është shkelje e të drejtave të tyre, ose realizim i pjesshëm i tyre.
Të drejtat dhe obligimet mund të identifikohen duke përdorur instrumente të ndryshme të drejtave të njeriut, siç është Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike.
“Ne mund t’i përdorim këto instrumente për të vlerësuar deri në ç’masë janë realizuar të drejtat e caktuara në Kosovë”, shpjegon Valentina, duke shtuar se “korniza ligjore e Kosovës është shumë e fuqishme sepse shumë prej këtyre instrumenteve janë pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Kjo nënkupton se të drejtat të cilat i parashohin ato duhet të garantohen nga të gjitha institucionet”.
EULEX-i i mbështetë institucionet e Kosovës në përmbushjen e obligimeve të tyre për mbrojtjen, respektimin dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut përmes asaj që ne e quajmë monitorim i fuqishëm i tërë zinxhirit të drejtësisë, që rezulton me gjetje dhe rekomandime të cilat janë përfshirë në raportet publike, siçështë Raporti për Monitorimin e Drejtësisë 2022.
“Së pari, ne përpiqemi ta diagnostikojmë problemin, dhe pastaj përgatisim rekomandime të përshtatura për institucionet përgjegjëse përkatëse, ashtu që mangësitë e identifikuara ndërmjet standradeve të drejtave të njeriut dhe realitetit të përjetuar nga individët të mund të tejkalohen në mënyrën më efektive”, shpjegon Valentina, duke shtuar se: “Para neve mund të na prezantohet ndonjë rast dhe duke shikuar se si trajtohen raste të ngjashme në sistem, ne kemi mundësinë që ndoshta të identifikojmë ndonjë praktikë dhe kështu, ndonjë problem sistemik.”
“Është e rëndësishme të theksohet se ne jemi duke u përpjekur të identifikojmë defektet, jo për të drejtuar gishtin drejt dikujt, por për të gjetur zgjidhje për problemin, në mënyrë që autoritetet në Kosovë të mund të realizojnë më mirë të drejtat e secilit brenda juridiksionit të tyre,” thekson Valentina. Ajo gjithashtu dha shembullin e monitorimit të EULEX-it rreth mënyrës së trajtimit të rasteve të dhunës seksuale: “Ne kemi vërejtur se shumë shpesh ekziston më shumë se një dështim në sistem: nëse nuk mblidhni prova të duhur gjatë një faze të caktuar të ndonjë rasti të dhunës seksuale, për shembull, kjo do të ketë ndikim mbi efektivitetin e tërë procesit të ndjekjes penale dhe ndoshta viktima kurrë nuk do të sheh drejtësi,” shpjegon Valentina. Këto vrojtime kanë bërë që Misioni të përgatisë një fushatë sensibilizimi për rëndësinë e ruajtjes së provave biologjike në rastet e dhunës seksuale, dhe për prezantimin e rekomandimeve praktike të tij përmes raportit special “Vlerësimi i trajtimit të rasteve të dhunimit nga sistemi i drejtësisë në Kosovë”.
Gjeneratat e sotshme fillojnë të mësojnë për të drejtat e njeriut në një moshë shumë të re, dhe kjo forcon konsiderueshëm njohuritë e tyre mbi të drejtat e njeriut dhe ndikon pozitivisht në mendësinë e tyre. “Si Mision për Sundimin e Ligjit, ne fuqizojmë njohuritë mbi të drejtat e njeriut edhe përmes fuqizimit të sensibilizimit për të drejtat dhe obligimet dhe duke ndihmuar për krijimin e debatit mbi atë që mund të bëhet për përmirësimin e gjithmbarshëm të jetës së njerëzve në Kosovë ngase kjo është objektivë e jona. Ne e shfrytëzojmë çdo rast publik, çdo fjalim tanin apo kanalet tona në media sociale për komunikim rreth të drejtave të njeriut. Të qenit transparent dhe të hapur është mënyra e promovimit të këtyre njohurive,” thotë Valentina.
Valentina me krenari thekson se në këtë fushë ajo ka gjetur fuqizim si profesioniste dhe si qenie njerëzore. Asaj i pëlqen të kalojë sa më shumë kohë cilësore me bashkëshortin, dy fëmijët dhe tre qentë, në veçanti gjatë ecjeve të gjata nëpër bjeshkët dhe natyrën e Kosovës. Jeta kulturore dhe artistike si teatri, ekspozitat dhe filmat e mirë janë pasione shtesë që i shijon gjatë kohës së lirë.
Ne ndahemi me Valentinën me një pyetje të fundit por të vështirë: A jemi duke bërë mjaft?
“Asnjëherë nuk duhet të themi se jemi duke bërë mjaft. Ne gjithherë duhet të përpiqemi të bëjmë më shumë dhe më mirë, dhe për të bërë më mirë neve ne duhet të jemi të hapur dhe të marrim parasysh shqetësimet dhe pikëpamjet e njerëzve me të drejtat e të cilëve kemi të bëjmë, të shoqërisë civile dhe homologëve tanë në institucione”, përfundon Valentina.