02 shtator 2015
Vendosmëria, profesionalizmi, sinqeriteti, zelli, guximi dhe puna e madhe janë virtyte që e bëjnë të mirë një gjyqtar. Valdete Daka i ka të gjitha këto, madje edhe më shumë se kaq.
Ajo është personalitet i shquar në Kosovë, jo vetëm që është në mesin e grave nismëtare, e cila ka marrë rolin e gjyqtares në sistemin e drejtësisë së Kosovës, por po ashtu edhe për arsye se është njëra prej femrave të para që udhëheq një agjenci të pavarur në Kosovë, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Disa ndoshta e njohin atë edhe si anëtare të dikurshme të Bordit të Drejtorëve të Shoqatës së Gjyqtarëve të Kosovës dhe si trajnuese të rregullt të Institutit Gjyqësor të Kosovës në fushën penale dhe në atë të të drejtave të njeriut. Ajo po ashtu i trajnon kandidatët për tu bërë gjyqtarë dhe kjo ndodhë pasi që ata ta kenë përfunduar me sukses provimin e jurisprudencës. Gjyqtarja Daka është po ashtu anëtare e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ish-anëtare e Komisionit të Pavarur për Zgjedhjen dhe Emërimin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve.
Grua, në të pesëdhjetat, e gjallë dhe e shoqërueshme, e cila ka bartur shumë funksione të rëndësishme, ka qenë gjithmonë e vendosur ta marrë një rol në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kjo vendosmëri dhe dashuria për ligj është ushqyer nga i ati i saj, i cili ishte profesor i njohur i drejtësisë në Kosovë. Meqë jam rritur në një familje të pasionuar pas ligjit dhe isha dëshmitare e kësaj dëshire për ligj për çdo ditë, ishte e natyrshme ta zgjidhja ligjin si profesion timin, sqaron Daka, e cila ka diplomuar në drejtësi në Universitetin e Prishtinës.
Rrugëtimi i saj filloi kur u emërua gjyqtare në Gjykatën Komunale në Prizren në fushën e të drejtës penale, kur i kishte vetëm njëzet e pesë vjet. Të qenit në mesin e grave të para gjyqtare në fushën penale ishte shumë shpërblyese por njëkohësisht ishe shumë e vështirë, sqaron Daka.
Ndarja e drejtësisë si gjyqtare penale në shumicën e rasteve nënkupton që duhet të përballeni me kriminelë të profilit të lartë, që kryejnë krime të rënda, por kjo nuk e ndali Dakën që të shquhet në rolin e saj në moshë shumë të re. Si gjyqtare penale, në shumicën e rasteve i privoni kriminelët nga liria dhe ka pasur raste kur më është kërcënuar jeta mua dhe familjes time dhe është dashur të jetojmë nën mbrojtjen e policisë, sqaron gjyqtarja Daka.
Megjithatë, pasioni për ndarje të drejtësisë, përkushtimi dhe puna e madhe, ishin forca e saj shtytëse që gjithmonë të përpiqet ti arrijë majat në profesionin e drejtësisë. Gjithmonë kam dashur të jem pjesë e zhvillimit të drejtësisë në Kosovë dhe besoj që kam luajtur rol të rëndësishëm në krijimin e shtetit dhe të institucioneve të drejtësisë. Kjo më bën të ndihem shumë krenare, thotë Daka.
Në një profesion ku mbizotërojnë meshkujt, gratë duhet të jenë shumë të vendosura për të luftuar për pozitat vendimmarrëse. Pozita e grave është përmirësuar shumë prej kohës kur jam emëruar për herë të parë si gjyqtare penale në Prizren, por ende mbetet shumë për tu bërë, thotë ajo. Sipas saj, gratë janë më të fuqishme, më të guximshme dhe më pak të prira për të rënë nën ndikim dhe prandaj duhet të trajtohen si të tilla.
Sipas Valdetes, përkundër sfidave të shumta, sistemi i drejtësisë në Kosovë aktualisht është shumë më i mirë se ka qenë më parë. Janë arritur reforma dhe ndryshime të rëndësishme në ligje, është bërë shumë. Prapë se prapë, duhet të bëhet edhe më shumë. Domethënë, gjenerata e re e profesionistëve duhet të jetë shumë e vendosur," thotë Valdetja.
Ajo ka një porosi për gjeneratën e re, e cila ngadalë po e zëvendëson gjeneratën e vjetër në sistemin e drejtësisë, që të jetë më e vendosur dhe më e përqendruar: Kurrë mos u dorëzoni, kërkoni më tepër dhe ofroni më të mirën për tu dalluar në profesionet tuaja.
Gjatë karrierës së saj të pasur profesionale, ajo ka punuar përkrah profesionistëve të drejtësisë nga organizatat e ndryshme ndërkombëtare që punojnë në Kosovë. Kam marrë pjesë në panele të ndryshme, në grupe të ndryshme punuese dhe në trajnime. Bashkëpunimi me profesionistët ndërkombëtarë të drejtësisë ka qenë gjithmonë shumë i mirë dhe ka qenë mundësi e shkëlqyeshme për të mësuar nga njëri tjetri sqaron Daka.
Planet e Dakës për të ardhmen janë që të vazhdojë të punojë në sistemin e drejtësisë të Kosovës për të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Ajo thotë që po ti duhej të zgjidhte ndërmjet pozitave që i ka momentalisht, drejtësia do të ishte fusha të cilën do ta zgjidhte çdo herë.
Si profesioniste dhe gjyqtare, Daka e simbolizon gruan e cila ka tejkaluar pengesa të mëdha dhe e ka trasuar rrugën që edhe gratë tjerat të bëjnë karrierë në fushën e drejtësisë.