22 shtator 2015
Maria, një kapitene në policinë e Holandës, ka më shumë se 30 vite përvojë në fushën e zbatimit të ligjit. Gjatë karrierës së saj të gjatë, ajo ka përjetuar aspekte të ndryshme të punës si police, duke filluar nga policimi në bashkësi e deri te hetimi i krimit të organizuar ndërkombëtar. Përveç punës aktuale, në tri vitet e fundit Maria është duke punuar edhe në hetimet e aspektit financiar të aktivitetit kriminal. Së fundmi, në bashkëpunim me departamentin e drejtësisë në Holandë, ajo e ka themeluar një ekip i cili ka në fokus përcjelljen e gjurmëve të parave të fituara nga aktiviteti kriminal me qëllim të zhvillimit sa më efektiv të hetimeve penale dhe mbledhjes së provave kundër personave të akuzuar.
Pas një periudhe kohore si udhëheqëse e ekipit për hetime ndërkombëtare në njësinë e krimit të organizuar, Maria mendoi se ishte koha për sfida të reja. Unë gjithmonë kam dashur të shkoj në ndonjë mision, mirëpo për këtë duhet të përgatitesh duke pasur parasysh jetën personale dhe punën. Duhet të jetë një moment kur i thua vetes: Tash po nisem!
Maria ka një përvojë të gjatë në Ballkan; ajo ka kaluar pushimet këtu që kur ishte trembëdhjetë vjeçare. Ajo po ashtu e ka vizituar Bosnjën gjatë misioneve të saja të punës, gjë që edhe ia rriti interesimin për të qenë pjesë e një misioni në Ballkan. Vizita e parë e Marias në Kosovë ishte kur ajo e filloi punën si këshilltare mobile e policisë së EULEX-it, në sektorin për fuqizim, në tetor 2014. Ajo fillimisht punoi në Gjilan për nëntë muaj e pastaj vazhdoi punën në Prishtinë.
Si këshilltare mobile, Maria bashkëpunon me homologët e saj në Policinë e Kosovës për tema të ndryshme. Përvoja e saj është dëshmuar pozitive. Policia e Kosovës është një organizatë profesionale dhe si çdo organizatë tjetër ajo vjen duke u rritur nëpër vite. E njëjta është edhe në vendin tim. Marias i pëlqen Kosova shumë. Njerëzit këtu janë shumë të hapur dhe miqësor. Ajo i çmon mundësitë e panumërta që Kosova i ofron për argëtim gjatë kohës së lirë si, bjeshkataria dhe mundësitë për të parë vendin dhe kulturat që i ka.
Që nga fillimi, Maria në punën e saj është fokusuar edhe në çështjet gjinore. Ajo shumë shpejt u njoh me Asociacionin e Grave në Policinë e Kosovës. Maria ka punuar ngushtë me anëtaret e asociacionit dhe ka pasur mirëkuptim për çështjet e tyre duke i kujtuar vështirësitë me të cilat janë ballafaquar gratë në organizatën e policisë kur ishte në Holandë. Është me rëndësi që të ketë më shumë gra në pozita vendimmarrëse në Policinë e Kosovës. Ky është edhe fokusi im gjatë punës që e kam me to.
Maria është pikë kontaktuese për çështje gjinore në njësinë e saj, që do të thotë se ajo është personi përgjegjës për përfshirjen e aspektit gjinor. Maria thekson se si përfshirja e aspektit gjinor nuk ka të bëj vetëm me të drejtat e grave por me barazinë në përgjithësi. Për të pasur një organizatë të mirë dhe të shëndetshme policore nevojiten edhe burrat edhe gratë. E njëjta vlen edhe për moshën. Ju duhet të keni një kombinim të njerëzve. Këtë e mësoni kur të keni përfunduar trajnimin për lidership. Do të keni njerëz të ndryshëm dhe karaktere të ndryshme. Ju duhet të keni edhe njerëz të cilët janë paksa kritik dhe jo që gjithmonë dinë të thonë po për gjithçka.
Lidhur me çështjet gjinore, Maria ka punuar në fushën e dhunës në familje. Së bashku me Nicole Brassil, një eksperte për çështje gjinore, ajo e ka përpiluar dhe shkruar një raport të hollësishëm për dhunën në familje i cili e bën vlerësimin e gjendjes aktuale dhe jep rekomandime për institucionet ligjore në Kosovë. Maria veçanërisht e ka theksuar bashkëpunimin efikas me Policinë e Kosovës dhe gjyqësorin në formulimin e rekomandimeve të cilat janë nxjerrë në raport. EULEX-i po ashtu e ka leht♪7suar një punëtori dy ditore Përgjigja e policisë dhe e prokurorëve ndaj rasteve të dhunës në familje në Kosovë në të cilën Maria dhe Nicole e kanë paraqitur raportin e tyre. Punëtorinë e kishte hapur shefi i Misionit, z. Gabriele Meucci, ndërsa i pranishëm ishte edhe Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Lirak Çelaj, i cili e përshëndeti këtë projekt dhe e theksoi rëndësinë që ka. Për Marian, janë mu këto raste të cilat e bëjnë atë që ta dojë punën e saj. Kjo është diçka që unë dua të arrij: Të bëj hapa të vegjël për të ndihmuar në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe krimeve tjera të ngjashme.
Marias duket se i pëlqen puna me njerëz. Ajo shpesh e thekson se sa i rëndësishëm është për të shoqërimi dhe komunikimi. Është e rëndësishme të flasësh me njerëzit dhe të jesh pjesë e bashkësisë, të flasësh për problemet e tyre, dhe të zbulosh gjërat që i motivojnë ata. Kjo duket qartazi në punën e saj si police. Në fund, të gjithë e duan të njëjtën gjë të kenë një bashkësi. Ju doni ta mbroni dhe ti shërbeni bashkësisë suaj. Kjo nuk është një punë me orar të rregullt prej orës nëntë deri në pesë.
Një shembull i punës në komunitet për të cilin Maria flet me ëndje është pjesëmarrja e saj në punën e organizuar nga një OJQ me seli në Pejë e quajtur Duart e Mëshirës. Ajo me entuziazëm e përshkruan punën e Duarve të Mirësisë dhe se si kjo OJQ e mbështetë edukimin dhe shkollimin e fëmijëve dhe si përkujdeset për personat që kanë nevojë për ndihmë. E frymëzuar nga puna e tyre, Maria dhe komuniteti i holandezëve i kanë mbështetur projektet e ndryshme të Duarve të Mëshirës. Bie fjala, ata kanë dhënë si donacion çanta shkollore për fëmijët që kanë nevojë për ndihmë. Të qenit në gjendje për të marrë pjesë në këto lloje të projekteve sociale domethënëse është arsyeja kryesore se përse Marias i pëlqen të punojë në Kosovë.
Mbështetja nga kolegët që janë prej shteteve dhe profesioneve të ndryshme në EULEX është diçka që Maria e çmon më së shumti. Ju duhet të jeni me fat e të keni një ekip si ky. Ju nuk jeni vetëm, të gjithë i ndihmojnë njëri tjetrit. Është një punë vërtetë ekipore. Gjëja më e mirë është të punosh në një ekip me pjesëtarë të etnive të ndryshme dhe ku mësojnë prej njëri tjetrit, por edhe ti gjenden njëri tjetrit kur është e nevojshme. Po ashtu, është edhe aspekti i punës ekipore i cili i ka mësuar Marias mësimet më të vlefshme gjatë qëndrimit në Kosovë. Unë kam mësuar se mund të punoj çdo kund. Ju mund të arrini hapa të vegjël nëse jeni të hapur dhe nëse keni vullnet që me të vërtetë të komunikoni me njerëzit dhe homologët tuaj. Ju duhet të keni respekt dhe besim për të arritur qëllimet e synuara. Kjo nuk ka të bëj vetëm me ju, sepse të gjithë duhet të kontribuojnë për një tërësi më të madhe.