26 tetor 2015
Barbora vjen nga një qytet i vogël në veriperëndim të Sllovakisë. Pas përfundimit të studimeve të magjistraturës në fushën e hetimeve, ajo iu bashku policisë sllovake për të punuar si police për inteligjencë kriminale. Më vonë iu kthye fushës akademike dhe në fund përfundoi studimet e doktoratës në zbatimin e ligjit. Në një fazë më të vonshme, ajo filloi të punojë në selinë e policisë kufitare në Sllovaki.
Barbora gjithmonë është përpjekur të punojë në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, në veçanti ndërmjet shteteve anëtare të BE-së. Vendimi për të specializuar në policimin kufitar ishte zgjedhje e kuptueshme për të. Nëse punoni në policinë kufitare është absolutisht e domosdoshme që të bashkëpunoni sepse në BE jemi të lirë të lëvizim pa pasur nevojë të kalojmë nëpër kontrolle kufitare në kufijtë e brendshëm; ne i zbatojmë kontrollet kufitare vetëm në kufijtë e jashtëm Schengen. Ne të gjithë i respektojmë standardet e njëjta dhe i plotësojmë disa kushte të përbashkëta. Katër vjet radhazi Barbora punoi me Agjencinë Frontex (Agjencia Evropiane për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian) dhe e kuptoi plotësisht bashkërendimin ndërkombëtar që nevojitet për ruajtjen e menaxhimit kufitar në zonën Schengen. Unë kam bashkëpunuar me shumë kolegë nga mbarë Evropa dhe vërtetë jam kënaqur gjatë asaj kohe, e kujton Barbora përvojën që e ka përgatitur atë për rolin e saj në EULEX.
Barbora arriti në Kosovë më 2013 për tu bërë pjesë e njësisë së EULEX-it për monitorim, mentorim dhe këshillim (MMK). Roli i saj në MMK ishte me Policinë Kufitare të Kosovës dhe me Doganën në katër pikë kalimet e përbashkëta lindore me Serbinë. Të punuarit në kufij i ofroi asaj një ndjenjë të realitetit lidhur me atë që ndodhte në terren. Barbora sqaron se është detyrë e zyrtarëve MMK në kufi që të veprojnë së bashku me të gjitha palët përkatëse, përfshirë policinë serbe dhe zyrtarët doganorë. Kjo ua mundëson atyre ta kenë një tablo të qartë të gjendjes në nivel operacional. Ju e lehtësoni bashkëpunimin ndërmjet palëve përgjegjëse dhe i këshilloni homologët vendas në përputhje me rrethanat. Duhet të jeni proaktiv dhe të keni shkathtësi shumë të mira për bisedime. Pa kompetenca ekzekutive, detyra e Barboras dallon nga detyra e saj e mëparshme meqë puna e saj në kufijtë e Kosovës para së gjithash përqendrohet në lehtësimin e bashkëpunimit. Ky është misioni im i parë. Unë e konsideroj mandatin e misionit si një mozaik. Puna e secilit përbën një pjesë të tij; nevojitet bashkëpunim maksimal për ta realizuar misionin. Prandaj është vendimtare të jesh bashkëpunues.
Në rrafshin personal, Barbora e pranon që e posedon anën aventuriere. Dëshira për ta përjetuar botën nga dora e parë duket të jetë motivi shtytës prapa shumë prej përpjekjeve të saj. Për shembull, të bërit police dhe përfundimisht të punuarit për misionin në Kosovë. Barbora gjithmonë ka qenë e interesuar për Ballkanin dhe në veçanti marrëdhëniet ndërmjet vendeve të Ballkanit pas konfliktit. Kam dashur ta shohë dhe ndjejë realitetin e Kosovës, si është jeta e zakonshme dhe si janë prekur njerëzit nga situata politike. Përveç kësaj, kam dashur të di si ndikon një situatë e tillë në zbatimin e ligjit dhe në menaxhimin e kufirit kur të dy palët e shikojnë pikë kalimin e njëjtë në mënyra të ndryshme për njërën anë është kufi ndërsa për tjetrën është kufi administrativ. Ishte mundësi e shkëlqyeshme ta përjetoj punën në fushën e menaxhimit të kufirit përtej kufijve të jashtëm Schengen ku fillojnë tregimet e emigrantëve. Të shikuarit e lajmeve ose leximi i analizave të rrezikut të bëra nga policia kufitare gjithmonë ua ofron një këndvështrim të caktuar por më mirë kuptoni duke qenë vetë aty.
Më 2014, kur numri i pjesëtarëve të njësisë së Barboras u zvogëlua në mënyrë të konsiderueshme, ajo u gradua në pozitën e udhëheqëses së ekipit. Pozita e re i solli Barboras sfida të reja dhe e mësoi shumë për punën me njerëz të ndryshëm në një mjedis shumë kulturor. Më duket sfiduese por po ashtu edhe interesante të punoj me një spektër aq të gjerë të njerëzve. Duhet kohë për ta kuptuar njëri tjetrin, por jam e lumtur që kam mundësinë të jem udhëheqëse e ekipit këtu. Po ta kryeja këtë detyrë në shtëpi, do të ishin vetëm bashkëvendësit e mi.
Të qenit femër e re po ashtu i ka shkaktuar Barboras sfida shtesë si udhëheqëse e ekipit. Ishte një hap i madh që të kaloj në pozitë udhëheqëse meqë jam njëra nga pjesëtarët më të rinj në moshë të njësisë sonë. Natyrisht unë i respektoj kolegët më të vjetër, jo vetëm për shkak të moshës së tyre, por edhe për shkak të viteve të tyre të përvojës. Duhet ti respektoj ata, por edhe ata duhet të më respektojnë mua. Nuk mundeni gjithmonë ti kënaqni të gjithë, por gjithmonë jam përpjekur të jem sa më e drejtë që është e mundur dhe ti bëjë njerëzit të ndihen të patrazuar dhe të motivuar në punë. Sipas Barboras, në këtë aspekt vendosmëria është vendimtare për një udhëheqës. Duhet ta keni mentalitetin e duhur. Keni përgjegjësi të caktuara. Mosha dhe gjinia juaj nuk kanë rëndësi, duhet të jeni i vendosur dhe pastaj çdo gjë ecë.
Përkundër faktit që puna e saj përbëhet kryesisht prej detyrave menaxhuese, Barbora herë pas here punon në terren meqë ajo është ende anëtare aktive e njësisë lëvizëse për terren. Kjo ia mundëson Barboras ti bazojë vendimet e saj ekzekutive në përvojën nga dora e parë. Njëra prej temave në të cilat ajo përqendrohet është përfshirja e aspektit gjinor dhe ajo kujdeset që aktivitetet MMK të njësisë së saj ta marrin gjithmonë parasysh perspektivën gjinore. Sipas mendimit të Barboras është po ashtu e rëndësishme që të japësh shembull. Është mirë që kemi numër të mjaftueshëm të femrave në njësinë tonë, në veçanti në nivel operativ. Është shumë me rëndësi që ta na shohë edhe popullsia vendase dhe jo vetëm policët. Disa vendas më kanë thënë që kur i kanë parë femrat që punojnë në pozitat tona e kanë kuptuar që femrat mund të punojnë në pozita të rëndësishme në polici. Ne po ju tregojmë atyre që kjo është e mundur.
Përveç risive në detyrat e saj të punës, ardhja në Kosovë ishte po ashtu një ndryshim i madh personal për Barboran. Ishte hera e parë që po jetonte në një vend të huaj. Ishte një përvojë e paharrueshme jetësore e cila ka ndikuar si në jetën time profesionale ashtu edhe në atë private. Në fillim, Barbora mendonte se të jetuarit jashtë vendit ishte sfidë, meqë çdo gjë ishte e re dhe ndryshe nga gjërat në shtëpi. Ishte po ashtu vështirë për miqtë dhe familjen e saj ta kuptonin jetën në Kosovë ata ishin të brengosur në fillim. Por përkundër këtyre vështirësive fillestare, Barbora është përshtatur mirë në fund. Jam mësuar me këtë. Tani Kosova është si shtëpia ime e dytë.