13 prill 2016
Ju prezantojmë Silke Sielaff, zyrtare policore nga Gjermania dhe shefe e Zyrës për Operacione të Përbashkëta në EULEX (ZOP), detyra e së cilës është bashkërendimi, informimi dhe kujdesi për të gjithë punonjësit e EULEX-it kudo qofshin ata nëpër Kosovë. Personaliteti i qasshëm dhe i ngrohtë, i shoqëruar me përkushtim dhe profesionalizëm për punën e saj bëjnë që ajo të jetë pasuri kyçe për këtë mision.
Silke e filloi karrierën në polici në vitin 1995 në Brandenburg të Gjermanisë, pas diplomimit nga fakulteti juridik i Universitetit të Heidelbergut. Punën në polici ajo e kishte dëshiruar që nga një moshë shumë e re. Të them të vërtetën, ajo ishte ëndërr e fëmijërisë, kur ishte diku dhjetëvjeçare thash se doja të bëhesha police. Në Gjermani është rast i rrallë që juristët ti bashkohen policisë, megjithatë Silke arriti që të sigurojë një avancim të shpejtë me ndihmën e përgatitjes akademike, dhe menjëherë iu bashkua policisë në nivel të lartë, ku punonte për shërbimet qendrore për policinë shtetërore të Brandenburgut.
Ajo shpjegon se arsyeja e ardhjes në Kosovë ishte që të ndante përvojën e saj të punës në një shtet në tranzicion pasi që policisë iu bashkua në fillim vitet e nëntëdhjeta në Gjermaninë Lindore, ajo e di se si punohet në një shoqëri që është duke kaluar nëpër zhvillime dhe reformime. Unë kam njohuri rreth procesit, dhe mund të theksoj se njerëzit janë duke kaluar nëpër një fazë tranzitore, kështu që mendova se do të ishte gjë interesante që kjo përvojë të sillej në Kosovë dhe që unë të bëhem pjesë shumë e vogël e ndryshimeve në këtë shtet.
Ndër përshtypjet e saj të para nga Kosova, përveç komunikacionit rrugor kaotik, ishte se njerëzit në Kosovë janë shumë ndryshe nga gjermanët, janë shumë më të hapur, dhe të gatshëm të flasin me njerëzit nga shtetet e huaja, edhe nëse nuk e flasin gjuhën, nuk e kanë problem të komunikojnë meqë njerëzit këtu janë shumë të hapur dhe të ngrohët; ndoshta sepse unë jam gjermane!
Suksesi i saj më i madh deri më tani ishte funksionalizimi i ZOP si pjesë përbërëse e Misionit EULEX. Në vitin 2014, kjo zyrë ishte departament i sapoformuar me qëllimin që të shërbente si qendër kryesore e informatave për të gjithë punonjësit e EULEX-it. ZOP është formuar pasi që u kuptua se në mision ishte e nevojshme të ekzistonte vetëm një qendër e informatave.
ZOP ka tri funksione. Shërben si qendër kryesore e informatave dhe nga aty shpërndahen informatat e nevojshme të klasifikuara apo të ndjeshme dhe informata nga burime të hapura tek departamentet përkatëse, nga aty monitorohen dhe kontrollohen të gjitha komunikimet me radio mes punonjësve gjatë kryerjes së detyrave të përditshme dhe nëpër operacione ku EULEX-i e zbaton mandatin ekzekutiv, dhe në fund ajo zyrë është përgjegjëse për përcjelljen e lëvizjeve të të gjithë punonjësve të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës dhe, në rast se ata punonjës kanë nevojë për ndihmë, atëherë kjo zyrë dërgon ndihmë. Kjo zyrë funksionon me orar 24/7, dhe me 32 punonjësit e saj ajo është në dispozicion kurdo që është e nevojshme.
Silke e shpjegon se si ZOP funksionon si bashkërendues kryesor i të gjitha njësive të EULEX-it gjatë operacioneve apo në rastet kur EULEX-i thirret si reagues i dytë me kërkesë të Policisë së Kosovës, i grumbullon të gjitha këto informata dhe i raporton në Bruksel. ZOP siguron që të gjithë të përfshirët të jenë në dijeni të zhvillimeve. Ne po ashtu e informojmë KFOR-in, si reagues i tretë, në mënyrë që ata ti kenë informatat që edhe ne i kemi në rast nevoje për ta. Silke ka për detyrë që të sigurojë procedura të duhura në mënyrë që punonjësit e zyrës së saj të jenë në gjendje të reagojnë sa më parë që është e mundur në rast të ndonjë emergjence apo operacioni të madh.
Duke qenë femër me karrierë të gjatë në fushën e sundimit të ligjit, Silke shpjegoi se çka duhet të bëjnë femrat e reja që dëshirojnë të ndjekin karrierë të ngjashme. Pikë së pari, thjeshtë provojeni. Ju do të punoni në një ambient me shumë kolegë meshkuj, por keni besim tek vetvetja, besojuni ndjenjave tuaja, dhe edhe nëse hasni në zhgënjime në karrierë, mos ndaloni, këmbëngulni dhe do të jeni të suksesshme, ju nuk jeni inferiore kundrejt kolegëve tuaj meshkuj për këtë arsye Silke beson se është shumë e rëndësishme femrat të jenë të angazhuara në role të larta, meqë ato mund të ofrojnë perspektivë tjetër, mënyrë të re të të menduarit, diçka që ajo personalisht e ka vërtetuar gjatë kohës së saj si zyrtare policore e lartë.
Me rastin e prezantimeve të drejtpërdrejta para femrave të Kosovës, Silke këshillon që femrat këtu duhet të mundohen të largohen nga rolet tradicionale patriarkale, ku barazia gjinore, përpos në vendet e punës, duhet të ekzistojë edhe në familje, femrat nuk duhet të kufizohen në vetëm një rol, ju mund të jeni nëna me karrierë dhe nuk duhet që për ju të zgjedhë mashkulli i familjes; bëjeni atë që juve ju bën personalisht të lumtur, nuk keni nevojë të kërkoni leje. Ajo pohon se kur Kosova ta bëjë këtë ndryshim, atëherë do të jetë në rrugë drejt shoqërisë bashkëkohore evropiane.