03 korrik 2017
Ndonëse teknikat forenzike përmes TI-së mund të mos jetë gjithmonë aq interesante sa paraqiten në televizion – hetuesit forenzikë nuk i ndjekin fizikisht kriminelët as nuk vihen në vijën e parë të frontit – forenzika e TI-së është pjesë e rëndësishme e procesit hetimor. Ekspertët e forenzikës kompjuterike i ndjekin kriminelët në fushën digjitale apo në “tregun kibernetik” diçka që është tejet e rëndësishme në autostradën digjitale të shekullit aktual XXI. Dhe, gjersa hetuesit forenzikë të TI-së shpeshherë ndihen të kënaqur me kontributin e tyre të dhënë për dërgimin e fajtorëve prapa grilave – ka diçka edhe më e mirë, ata mund të ndihmojnë në shfajësimin e të pafajshmëve – duke e mbështetur parimin e përjetshëm që “më mirë dhjetë fajtorë të lihen të lirë sesa të vuajë një i pafajshëm”.
Ju njoftojmë me Shqipe Salihun, eksperte forenzike e TI-së që punon në Divizionin e Hetimeve të Policisë së Kosovës. Ajo e fitoi titullin inxhiniere e kompjuterikës kur ishte vetëm njëzet vjeçare, dhe aktualisht është në përfundim të studimeve për master në fushën e shkencave kompjuterike dhe telekomunikacionit në Universitetin e Prishtinës. “Unë fillova shkollën kur isha shumë e vogël, kurse gjatë shkollës fillore i kalova disa klasë meqë si fëmijë kisha aftësi të jashtëzakonshme,” rrëfen me modesti Shqipja.
Ajo u lind në Prishtinë, por pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Lipjan, ku si fëmijë gjeni dhe me mbështetjen e familjes ajo, që në moshë shumë e vogël, e dinte se karriera e saj do të lidhej me botën kibernetike.
Para se ta fillonte karrierën në Policinë e Kosovës si eksperte forenzike e TI-së, ajo kishte shumë vite përvojë në fushën e teknologjisë së informacionit. Natyrisht, asaj iu desh të punonte shumë dhe të arsimohej për të arritur aty ku është tani, por si nisi e gjithë kjo? “Krejt rastësisht!,” shpjegon ajo. “Unë përfundova këtu rastësisht, pa ndonjë planifikim. Gjithmonë kam pasur interesim të shtuar për teknologjinë dhe respekt të madh për gratë dhe burrat në uniforma të kaltra. Dhe, pati puthitje të dy interesimeve.”
Pasi hyri “rastësisht” në botën i kibernetikës, ajo i kuptoi mangësitë dhe përparësitë, specifikat dhe rëndësinë e forenzikës digjitale. Aty për aty u dashurua me forenzikën e TI-së, “tani shumica e krimeve ndërlidhen me teknologjinë e informacionit, e cila po zhvillohet me hov të madh. Pothuajse të gjitha krimet, si vrasjet, krimet me drogë, dhunimet, e të tjera, janë në një mënyrë të lidhura me ndonjë pajisje digjitale. “Është pothuajse e pamundur që telefonat apo kompjuterët të mos përdoren në veprimtari kriminale, dhe aty hyjnë në punë aftësitë e mija si analiste forenzike e TI-së,” thotë ajo.
Njësia e forenzikës IT në Drejtorinë e Hetimeve Forenzike të Policisë së Kosovës është e re. Roli kryesor i njësisë është ruajtja, identifikimi, vlerësimi, grumbullimi, shqyrtimi, analizimi dhe paraqitja e provave digjitale në gjykatë. Pjesa më e madhe e punës kryhet brenda në zyra, megjithatë në disa raste të caktuara, hetuesit forenzikë duhet të jenë të pranishëm edhe në teren.
Dita e punës e një hetuesi forenzik profesional është gjithçka tjetër pos një ditë e rëndomtë. “Varësisht se në çfarë rastesh punoj, si për raste të pornografisë me fëmijë, raste të korrupsionit, apo të shantazhit, shkalla e stresit mund të jetë shumë e lartë. Hetimi dhe analizimi i pajisjeve të ndryshme dhe përpjekjet për paraqitjen e provave digjitale të forta që do të mbështetnin dhe ndihmonin hetimet mund të jetë shumë sfiduese”, shpjegon ajo.
Në fillim të rrugëtimit të saj në botën e forenzikës së TI-së, ajo asnjëherë nuk e kuptoi rëndësinë e rolit të vet, por një rast për të cilin ajo kishte punuar bëri që ajo ta kuptojë rolin e vet thelbësor në ndarjen e drejtësisë. “Provat që unë dhe kolegët e mi arrijmë t’i nxjerrim nga pajisje të ndryshme janë tejet jetike për secilin rast,” tha ajo.
Shqipja është një prej dy hetuesve forenzikë të licencuar të TI-së në Kosovë. Me certifikatën e dhënë nga Shoqata Ndërkombëtare e Specialistëve Hetimorë të Kompjuterëve (IACIS), ajo ka të drejtën që të dëshmojë në cilësi të ekspertit forenzik të TI-së në çfarëdo gjykate të botës. “Përjetoj një ndjenjë të fuqishme të arritjes kur dëshmoj dhe paraqes prova digjitale para gjykatësit, duke e ditur që provat e vogla digjitale mund ta bëjnë apo ta zhbëjnë rastin,” shpjegon Shqipja me pasion.
Të punosh si femër në organizata të policisë nganjëherë mund të jetë sfiduese, dhe në rastin e saj, sfida është e dyfishtë. “Të dy profesionet janë disi tradicionalisht të rezervuara për meshkuj,” thotë ajo, duke shtuar se “sfidat na ndjekin kudo, por kur i cakton prioritetet dhe e dini se çka doni në karrierë, atëherë duhet të këmbëngulësh me kokëfortësi.”
Shqipja e sheh veten si shumë fatlume nga fakti se drejtoria ku ajo punon udhëhiqet nga femra shumë të fuqishme. “Drejtoresha jonë është një nga femrat më të fuqishme dhe profesionale me të cilat kam pasur rastin të punoj,” shpjegon ajo. “Ajo na mbështetë në shumë projekte të ndryshme dhe ajo është një nga arsyet e shumta se pse njësia jonë është kaq e suksesshme.”
Edhe pse njësia e forenzikës së TI-së është shumë e re, që punon vetëm që nga marsi 2014, deri më tani ajo ka luajtur rol jetik në luftën kundër krimit. “Që nga fillimi, EULEX-i në vazhdimësi ka ofruar mbështetje të jashtëzakonshme për hetimet tona digjitale. Ne i përdorim pajisjet e Misionit dhe shkëmbejmë njohuri profesionale me kolegët tonë nga EULEX-i,” thotë Shqipja.
Përveç ndjekjes së kriminelëve në botën kibernetike, Shqipja i pushton edhe majat më të larta të bjeshkëve të Kosovës. “E dua alpinizmin, dhe me këtë merrem për më shumë se dhjetë vite,” thotë ajo me entuziazëm. Shqipja është udhëheqëse e shoqatës vendase të alpinizmit “Blinaja” në Lipjan
“Të merresh me raste shumë të vështira çdo ditë dhe të shohësh gjëra që me dëshirë nuk i kisha parë, mund të jetë shumë stresuese. Të bën që të dyshosh në njerëzinë. I vetmi vend i imi i sigurt, ku edhe frymëzohem për ta vazhduar luftën kundër kriminelëve është natyra,” përfundon Shqipja.