26 shtator 2017
Dhuna në familje mund të shfaqet në forma të ndryshme, si fizike, seksuale, psikologjike apo ekonomike. Përhapja e kësaj dhune mund të jetë dëmtuese si për viktimat ashtu edhe për personat e prekur, dhe mund të qojë deri në familje të prishura, vetëvrasje, dhe vrasje.
Për shumë prej viktimave të dhunës në familje që vendosin të raportojnë keqtrajtimet, vendi i parë ku drejtohen është policia, ku nis së zbatuari ekspertiza e Tahire Haxhollit.
Kapitene Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësinë për Hetime rreth Dhunës në Familje, në kuadër të Policisë së Kosovës, është shumë entuziaste në punën e saj të madhe drejt ndryshimit të kulturës së tolerimit që përshkon nëpër rastet e dhunës në familje.
“Për mua familja është gjithçka, unë jam rritur e rrethuar me shumë dashuri, harmoni, dhe inkurajim të vazhdueshëm prej prindërve dhe vëllezërve dhe motrave që unë t’i ndjek ëndrrat e mia,” shpjegon ajo. Ëndrra e saj në fëmijëri ishte e thjeshtë: “Gjithmonë kam dashur t’iu ndihmojë të tjerëve, dhe t’iu them se të gjithë meritojmë të jemi të lumtur, pavarësisht se çka na thonë të tjerët,” vazhdon ajo.
Pas konfliktit në Kosovë, ajo e kishte shumë të qartë se dëshironte të bëhej pjesë e forcës policore të sapoformuar në Kosovë, dhe të jepte kontributin e saj në shoqëri. Nuk e kishte menduar se një ditë do të arrinte të bëhej kaq e përfshirë si figurë e rëndësishme në luftimin e dhunës familjare në Kosovë.
“Viktimat më shohin si engjëllin mbrojtës të tyre, si heroinë e tyre,” shpjegon ajo me krenari. “Qysh prej ditës së parë, jam përfshirë në çdo rast. Për mua, familja dhe lumturia janë tejet të rëndësishme, dhe është shumë e vështirë për dikë t’i humb të gjitha ato brenda një dite, andaj unë e trajtoj çdo rast me respekt dhe profesionalizëm të skajshëm,” shton ajo. Janë mirënjohja dhe ndjenja e sigurisë së viktimave të keqtrajtimit ato që e motivojnë, duke ia rikujtuar që asnjëherë të mos heq dorë dhe të arrijë rezultate edhe më të mira.
Kapitene Haxholli është një nga shembujt më të mirë të shumë femrave që i janë bashkuar sektorit të sigurisë. Ajo iu bashkua Policisë së Kosovës menjëherë pas luftës, me ëndrrën që të arrinte profesionalisht dhe t’iu ndihmonte të tjerëve. Gjersa ishte duke punuar si zyrtare policore në njësinë e patrullimit, ajo njëkohësisht vijoi studime në fushën e kriminalistikës, dhe vazhdoi me shkallën masters në studime juridike në fushën e dhunës në familje. Ajo filloi me hapa të vegjël por të sigurt, dhe tani ka pozitë udhëheqëse në forcën policore të Kosovës. “Isha shumë e përkushtuar në punë. Gjatë rrugëtimit tim profesional jam ballafaquar me shumë situata të vështira, por gjithnjë kam arritur t’i tejkaloj vështirësitë dhe t’i dëshmoj aftësitë e mia menaxheriale,” shpjegon ajo.
Rrugëtimi i saj profesional në Policinë e Kosovës filloi në vitin 2000 si pjesëtare e njësisë së patrullimit, ku më pas kaloi në njësinë e policisë në bashkësi, ku qëndroi deri në vitin 2003. Po atë vit ajo u avancua në pozitën e hetueses për rastet e dhunës në familje. Ajo e mori gradën e parë rreshtere në vitin 2004, dhe vetëm pas një viti asaj iu caktua roli i mbikëqyrëses së sektorit për dhunën në familje. Paralelisht punës dhe studimeve, ajo vijoi edhe trajnime profesionale të shumta në mbarë botën. Pas marrjes së gradës kapitene, ajo u avancua në pozitën e shefes së sektorit të dhunës në familje, dhe tani është në rrugën e saj drejt gradës majore.
Dhuna në familje zakonisht ndodhë prapa dyerve të mbyllura, dhe viktimat vuajnë në heshtje. Megjithatë, sipas zj. Haxholli, raportimi i rasteve të dhunës në familje në Kosovë ka shënuar ngritje gjatë viteve të fundit. “Kjo nuk nënkupton rritje të numrit të rasteve të dhunës në familje, por se viktimat po i njohin më mirë të drejtat e tyre”, shpjegon ajo. Statistikat tregojnë që vetëm vitin e kaluar, me mijëra kosovarë raportuan për raste të dhunës në familje, ku 90 për qind e viktimave ishin femra.
“Zakonisht femrat janë viktima, dhe në shumicën e rasteve përfshihen edhe fëmijët. Dhuna raportohet vetëm atëherë kur konsiderohet e patolerueshme,” shpjegon Haxholli, duke shtuar, “Kjo nënkupton se ne në të vërtetë nuk e dimë se sa dhunë ushtrohet brenda një familje, meqë ajo raportohet vetëm pas shumë vitesh keqtrajtimi konstant.”
Sipas Kapitene Haxholli, parandalimi duhet të jetë hapi më i rëndësishëm drejt trajtimit të dhunës në familje. “Zyrtarët policorë nga njësia ime shfrytëzojnë çdo rast për të qenë më afër komunitetit. Shumë shpesh ne organizojmë ligjërata nëpër shkolla, mbajmë konferenca, dhe shpërndajmë fletushka me informata rreth dhunës në familje dhe rreth të drejtave të viktimave,” shpjegon ajo. Sipas Kapitene Haxhollit, shumica e femrave zakonisht nuk i njohin të drejtat e tyre themelore. “Viktimave zakonisht i thuhet prej bashkëshortëve apo ushtruesve të dhunës se ato nuk kanë se ku të shkojnë, se ato nuk e kanë askënd, dhe se ata i kanë njerëzit e tyre në polici,” shtjellon Haxholli.
Informimi është element shumë i rëndësishëm në luftën kundër dhunës në familje. Zyrtarët e Policisë së Kosovës që patrullojnë nëpër komunitet janë të gatshëm t’u tregojnë viktimave se ata janë aty për t’iu ndihmuar. “Në thelb ne iu themi viktimave se nuk janë vetëm. Krijimi i besimit është jetik për ne”, shpjegon Kapitene Haxholli.
Në Kosovë, ekzistojnë një numër institucionesh përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të personave që kanë vuajtur nga dhuna në familje. Nga momenti që rasti i dhunës në familje raportohet në polici, në dispozicion janë strehimoret, qendrat për punë sociale, avokatët e viktimave, dhe sistemet dhe procedurat e tjera për të siguruar që çdo person do të ndihmohet për paraqitjen e rastit, për kontroll mjekësor nëse është i nevojshme, për këshillim, strehim, dhe mbështetje përgjatë procedurave gjyqësore.
“Në shumicën e rasteve, Policia e Kosovës përfshihet përgjatë tërë procesit të këtyre rasteve dhe luan rol themelor në përfshirjen e institucioneve të tjera. Edhe neve na nevojitet mbështetje nga institucione të tjera në mënyrë që të na bëhet e mundur arritja e rezultateve më të mira,” shpjegon ajo.
Kapitene Haxholli e çmon lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen që njësia e saj ka nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, si UNMIK, KFOR, EULEX, OSCE, dhe të tjera: “I çmoj dhe i vlerësoj lartë të gjitha përpjekjet dhe mbështetjet që na vijnë nga të gjitha këto institucione, ngase porosia e punës sonë fuqizohet më tej. Të gjithë mësojmë nga njëri-tjetri përgjatë rrugës,” thotë ajo.
Zj. Tahire nuk njihet vetëm për “kokëfortësinë” që ka në luftën e saj për t’i ndihmuar viktimave të dhunës në familje, por ajo po ashtu është edhe lobuese e njohur për të drejtat e femrave brenda institucionit të saj. Ajo është një nga themeluesit e Shoqatës së Femrave në Policinë e Kosovës. “Atë kohë, unë punova shumë ngushtë me organizatën UNIFEM për themelimin e shoqatës brenda Policisë së Kosovës, me qëllim që ne t’i tregojmë vlerat që femrat kanë për policinë, t’i inkurajojmë ato t’i bashkohen forcës policore, dhe të thyejnë qëndrimet me paragjykime dhe stereotipe,” vazhdon ajo.
Duke patur një besim të fortë tek shkollimi, në veçanti për investimin në arsimimin e femrave, ajo ka një porosi për të gjitha femrat e reja në Kosovë, dhe ajo është që ato të shkollohen, të kenë vetëbesim, të jenë të qëndrueshme dhe të mos heqin dorë asnjëherë. “Është shumë e rëndësishme që të arsimoheni, arsimi do të ju zhvillojë si person dhe profesionistë, dhe automatikisht do të ju ndihmojë t’i krijoni vetes suaj pozitë të pavarur.”