24 janar 2018
“Kushtetuta nuk e garanton lumturinë, por vetëm kërkimin e saj. Ju duhet ta arrini atë vet.”, ishin fjalët e Benjamin Franklin, një prej paraardhësve kryesor të Amerikës. Arta Rama-Hajrizi, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me anë të shembullit të vet i ka dhënë kuptim tjetër kësaj thënieje të njohur.
Për të, Kushtetuta është formë e lumturisë, pasionit dhe përkushtimit - – diçka që ajo ia ka kushtuar tërë karrierën e saj dhe një pjesë të madhe të jetës. Si fëmijë, ajo ka pasur zell për të studiuar mjekësinë ose të drejtat e njeriut. Megjithatë, zgjedhja e Arta Rama-Hajrizit ndryshoi si rezultat i konfliktit në Kosovë gjatë viteve të nëntëdhjeta. Zgjidhja e saj për të luftuar për ruajtjen e jetës u transformua në pasion për mbrojtjen e saj përmes sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe barazisë.
“Forca ime shtytëse është kombinim i studimeve që i kam bërë dhe viteve të përvojës së punës jashtë vendit. Nga perspektiva ime profesionale dhe kulturore unë mbështesë frymën liberale të Kosovës, në veçanti rininë e saj të etur për ta parë vendin e tyre pjesë të Bashkimit Evropian. Motivimi im rritet kur shoh tek qytetarët e rëndomtë ngritje të vetëdijesimit për të drejtat dhe obligimet kushtetuese të tyre. Kjo është baza e demokracisë sonë dhe shtytësi kryesor i rritjes ekonomike në vendin tonë”, thekson zj. Rama-Hajrizi.
Për të arritur aty ku është, zj. Rama-Hajrizi i përfundoi studimet themelore në Universitetin e Prishtinës dhe vazhdoi studimet për fushën e juridikut në Shtetet e Bashkuara, në Washington College of Law, ku përfundoi Programin për të Drejtën dhe Qeverinë/ Law and Government Programme. Aktualisht ajo është në përfundim të studimeve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës, në fushën e të drejtës kushtetuese.
Një e arritur e madhe për karrierën e zj. Rama-Hajrizi ishte përfaqësimi i Kosovës në vitin 2014 në Komisionin e Venecias, organ këshillëdhënës i Këshillit të Evropës, që përbëhet prej ekspertëve të pavarur në fushën e së drejtës kushtetuese.
Një përvojë dhe mundësi domethënëse që trasoi rrugën e Artës për në krye të Gjykatës Kushtetuese ishte përvoja e saj katërvjeçare si konsulle e parë e përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York.
“Pas katër viteve të mrekullueshme në New York, unë isha e përgatitur dhe e gatshme t’i kthehesha profesionit tim. U emërova gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ngjitja shkallës deri në pozitën e Kryetares së Gjykatës ishte rezultat i përkushtimit të vërtetë, punës së zellshme, respektit dhe besimit që kam fituar në mesin e kolegëve të mi gjyqtarë gjatë tri viteve si gjyqtare”, thotë Rama-Hajrizi.
Në një botë ku zëri i femrave është duke u bërë shumë e shumë më i fuqishëm, ku feminizmi nuk është më term i panjohur dhe i keqkuptuar, sfidat janë të mëdha kur gjendeni në majë të shkallës së sundimit të ligjit, siç është zj. Rama-Hajrizi.
“E fshehta prapa çdo suksesi është puna, përkushtimi, profesionalizmi dhe të qenit të përgatitur për të bërë ndryshime të nevojshme përmes bashkëpunimit transparent dhe të hapur me kolegë”, thotë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Sipas zj. Rama-Hajrizi, praktika në mbarë botën, dhe jo vetëm brenda profesionit ligjor, është se në krahasim me meshkujt, femrat duhet të arrijnë standarde më të larta dhe t’i përkushtohen më shumë punës për të eliminuar çdo paragjykim. Në këtë drejtim, zj. Rama-Hajrizi sigurohet që Gjykata Kushtetuese të jetë një prej pak institucioneve në shtet ku më shumë se gjysma e të punësuarve janë femra.
“Në rastin tim ishte puna dhe përkushtimi im i përditshëm që i bindi kolegët e mi gjyqtarë që të më zgjedhin si kryetare të tyre. Të qenit kolege e gjyqtarëve që kanë dhënë betimin për të zbatuar standardet më të larta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të mbrojtura me Kushtetutën tonë, përfshirë trajtimin e barabartë të individëve, më jep arsye tjetër të krenohem me arritjet e mia”, thotë zj.Rama-Hajrizi.
Ajo gjithnjë i ka inkurajuar dhe inspiruar koleget e saj në gjykatë dhe në universitet. “Unë u kam thënë që asnjëherë të mos ndalojnë së promovuari të drejtat e tyre e as të heqin dorë nga ndjekja e ambicieve, karrierës dhe ëndrrave që ato i kanë”, thotë Rama-Hajrizi. Ajo beson se emancipimi i femrave është fortesa dhe baza e çdo shoqërie demokratike.
Gjatë rrugës së saj të karrierës së frytshme, zj. Rama-Hajrizi kuptoi se ajo që gjithnjë e formëson rrugën drejt të ardhmes është përvoja. Në rastin e saj, përvoja profesionale dhe arsimore në Amerikë pati ndikim të madh dhe i hapi dyer për një koncept tërësisht të ri të kuptuarit të së drejtës dhe sistemeve juridike të ndryshme.
Pjesë e sfidës është krahasimi, analizimi dhe zbatimi i jo vetëm përvojës por edhe i arsimimit në një shtet me sistem juridik krejtësisht të ndryshëm. Sipas zj. Rama-Hajrizi, gjëja më e mirë rreth sistemit juridik është fakti se pavarësisht dallimeve mes strukturave, parimet kryesore mbesin të njëjta.
“Aftësia për t’iu përshtatur ndryshimeve është kyç për të përballuar jetën dhe punën në shtete dhe kontinente të ndryshme”, shpjegon ajo.
Duke pas parasysh se Gjykata Kushtetuese është autoriteti final për interpretimin e Kushtetutës, vendi i punës së zj. Rama-Hajrizi sjell me vete nivel të lartë të përgjegjësisë.
“Detyra e caktuar gjyqtarit të emëruar për mbrojtjen dhe interpretimin e një dokumenti kaq të vlefshëm nuk është vetëm privilegj, por edhe obligim i madh. Kjo kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe punë të zellshme për mbrojtjen dhe interpretimin e dispozitave të tij për çdo parashtresë të paraqitur para Gjykatës Kushtetuese”, thotë Rama-Hajrizi.
Puna e institucionit të saj është e gjerë dhe e ndërlikuar, por për zj. Rama-Hajrizi jurisprudenca më e mirë e gjykatës “vije prej parashtresave individuale ku përmes vendimeve të gjykatës ne sigurojmë garantimin e të drejtave dhe lirive të parapara me Kushtetutën tonë për secilin qytetar, pa dallim.”
Larg syrit të publikut, zj. Rama-Hajrizi është bashkëshorte dhe nënë e dy djemve, Lir dhe Jon, të cilët i japin asaj tërë dashurinë dhe energjinë pozitive shtesë që i nevojitet pas një dite të gjatë.
E pyetur nëse më sfiduese është të jesh nënë apo kryetare e Gjykatës Kushtetuese, zj. Rama-Hajrizi përgjigjet: “Gjetja e mënyrës për të shijuar të dyja nganjëherë është më e vështirë sesa të punosh në rastet më të ndërlikuara në gjykatë. Por kjo është bukuria e të qenit nënë.” Familja Rama-Hajrizi i shfrytëzon ditët e fundjavës për më shumë gjumë, mëngjese me familjen dhe ecje nëpër natyrë.
Asaj i pëlqen futbolli, është kuzhiniere shumë pasiononte, ku ushqimet e saj të famshme e bashkojnë familjen, çka i shton veçanti kohës së kaluar së bashku.