11 qershor 2018
Kur ishte lindur në një qytet akademik të largët të Siberisë, atëherë pjesë e Bashkimit Sovjetik, familja e Yulias ishte e bindur se ajo do të vazhdonte hapat e shkelur të biologëve molekularë dhe virologëve, të themeluar mirë me traditë familjare. Por kjo bijë e tajgës siberiane kishte ide krejtësisht të ndryshme për mënyrën se si do ta kalonte jetën. Yulia thotë se qysh nga mosha e re ajo donte të eksploronte dhe të ishte e lirë.
Ajo u rrit dhe studioi në Siberi e më pastaj në Moskë, dhe kreu studime të magjistraturës për gjuhët frënge dhe ruse nga një shkollë që prodhon diplomatë rusë. Sapo u diplomua, pati zgjedhjen të punonte për Ministrinë e Punëve të Jashtme ose të bënte diçka tjetër. Ajo zgjodhi “diçka tjetër” dhe u bë korrespondente për punë të jashtme në një agjenci të pavarur të lajmeve, ku edhe e filloi rrugëtimin.
Për vite me radhë, Yulia punoi në mbarë botën, duke raportuar për disa nga zhvillimet më aktuale të botës, përfshirë, për shembull, për luftën e vitit 2006 mes Libanit dhe Izraelit nga Bejruti. “U bëra korrespondente për luftë brenda dite, por çka me bo!” Në vitet 2006 dhe 2007, si korrespondente për Ballkan ajo i mbuloi negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit. “Unë vija në Kosovë me autobus nga Beogradi, vozitja nëpër vend, intervistoja njerëz të rëndomtë, intelektualë, politikanë, secilin. Ishte diçka interesante, por nganjëherë edhe emocionalisht e rëndë. Unë qava me çdo komb në Ballkan.”
Yulia vlerësonte rëndësinë e raportimit të balancuar dhe atë kohë ishte në mesin e pak raportuesve rusë që mbulonin perspektivën e Beogradit dhe atë të Prishtinës në mënyrë të barabartë dhe të paanshëm. “Ndjeja se kisha për obligim t’i jepja zë të dy anëve”, thotë Yulia. Kështu që i intervistoi dy presidentët, Tadic dhe Sejdiu, dhe kryeministrat Kostunica dhe Çeku, si dhe përfundoi duke organizuar një konferencë për shtyp për këtë të fundit në Moskë – e vetmja që një politikan shqiptar i Kosovës kishte bërë në vitet 2000.
Gradualisht ajo ndërroi përqendrimin drejt politikave të SHBA-ve dhe të Evropës, dhe u bë bashkëpunëtore e jashtme në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike/London School of Economics and Political Science. “Përgjatë viteve unë bëra shumë gjëra njëkohësisht. Edhe në Mbretëri të Bashkuar dhe në Itali, ku jetoja, unë mbuloja çështje politike si gazetare dhe në të njëjtën kohë punoja për temën time të doktoratës për islamizmin dhe xhihadizmin në shtetet e BE-së”. Yulia përfundoi doktoratën për shkenca politike në vitin 2012.
Pas vitesh pune si gazetare dhe analiste politike, Yulia u hodh në një mundësi për të kontribuar për rrugën e Kosovës drejt BE-së, duke filluar punën në EULEX. Ajo gjithmonë donte të kthehej në Ballkan, dhe është tejet e lumtur që është kthyer në Kosovë. Ka kaluar pak më shumë se një vit dhe ende i kujtohet momenti kur erdhi për herë të parë. “Të kthehesha në stinën e pranverës ishte kënaqësi: me natyrën që kishte lulëzuar dhe me atmosferën e jashtëzakonshme!” thotë ajo me sy ëndërrimtarë.
Tani Yulia, e deleguar nga Ministria e Italisë për Punë të Jashtme, punon si menaxhere e programit të Zyrën e shefit të kabinetit, ku pjesë e punës së saj është përfshirja në zbatimin e udhërrëfyesve tranzitorë në bashkëpunim të ngushtë me homologët nga Kosova. Në këta udhërrëfyes janë të përfshira veprimet që duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës për të siguruar se kalimi i përgjegjësive të EULEX-it në fusha të caktuara të sundimit të ligjit të zhvillohet pa pengesa. “Më ishte caktuar detyra që të shqyrtoja mënyra të ndryshme për përmbylljen e Misionit, dhe kjo ishte mënyra se si u krijuan udhërrëfyesit aktualë. Në to ka pak punë për EULEX-in, ne thjeshtë bëjë bashkërendim dhe ofrojmë ekspertizë, udhërrëfyesit kanë për qëllim të çimentojnë pronësinë vendase të sundimit të ligjit. Kjo është pjesa më e mirë e punës sime!”
Ajo punon me homologët e saj vendas çdo javë, në mos çdo ditë, për vlerësimin e gjërave që duhet të bëhen, cili duhet të jetë prioriteti i radhës, dhe se si ndryshimet e nevojshme – që nisin nga punësimi i ndonjë administratori të të dhënave deri tek ndryshimi i ndonjë ligji – mund të bëhen. “Arritja e “qartësisë mes grupit” ishte pjesa më e vështirë sepse të gjithë vijmë nga institucione dhe pikëpamje të ndryshme”, thotë Yulia. Ajo ndanë një çast për të shprehur mirënjohjen që ka për bashkëpunimin e tyre dhe shpresat e mëdha që i ka për të ardhmen, “Unë kam homologë të mrekullueshëm nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe nga Ministria e Drejtësisë. Të gjithë janë të zgjuar dhe punëtorë. Më pëlqen të punoj me ta, dhe puna e tyre më bën shumë optimiste”.
Asaj i pëlqen jeta në Prishtinë dhe buzëqesh kur përmend se me dy fëmijë të vegjël, një vajzë e moshës dhjetëvjeçare dhe një djalë i moshës pesëvjeçare, të jesh nënë që punon dhe që jeton në një qytet të vogël është lehtësim i madh. Ajo nuk ka nevojë të vozisë dy orë deri tek ndonjë takim për lojë dhe jetën e ka shumë komode këtu. Çka është më e rëndësishme, fëmijët e saj janë të lumtur.
Të dy fëmijët kanë jetuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Itali, por prapë, lëvizja në mes të vitit shkollor nuk ishte koha më e lehtë. Por ata janë sistemuar mirë, “jam jashtëzakonisht krenare”, thotë Yulia, duke shkëlqyer. “E kuptova që ishin sistemuar në ditën kur kërkuan mantija për mëngjes”, thotë ajo duke qeshur. Yulia është edhe atlete entuziaste që ushtron çdo mbrëmje në Steps Elite Fitness në Veternik – ushtrime të intensitetit të lartë, të ngjashme me CrossFit – dhe është e apasionuar pas përgatitjes së pjekurinave. “Ushtroj që të mund t’i ha pjekurinat e mia”, - thotë ajo.
Ndërlidhja kulturore është ajo që Yulia më së shumti do nga Kosova. Asaj i janë dukur shtetet perëndimore nganjëherë shumë individualiste dhe herë-herë të vetmuara për imigrantët. “Më kishte munguar të isha në një vend ku njerëzit më bënin me mijëra pyetje, edhe nga ato më personalet, dhe të ishin më të hapur si njerëz. Më duket se një nga gjërat e para që i kam mësuar në gjuhën shqipe ishte pyetja “A jeni e martuar?”, dhe qeshet. Ajo shton se është e dashuruar me mirësinë e njerëzve në Kosovë dhe me mikpritjen e tyre të madhe.
“Unë besoj se çdo qenie njerëzore ka të drejtë të gëzojë jetë të sigurt dhe të begatë me të drejtat elementare të siguruara nga institucionet. Dhe këtë e dua edhe për kosovarët. Jam shumë krenare që jam pjesë e Misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë. Ne nuk jemi të përsosur, por askush në EULEX nuk vije për të punuar me mendjen se si të prishë punë, është e kundërta”. Ajo shton se ka dashur të bëhej prokurore kur e kishte përfunduar shkollën e lartë, por se prindërit ishin shumë kundër asaj ideje ngase në vitet e nëntëdhjeta në Siberi ishte një periudhë e egërsisë ky gangsterët udhëhiqnin lagjet. “Me mendjen tënd për drejtësinë, ty do të të vrasin në muajin e parë të punës”, - i kishte thënë e ëma. Por Yulia thotë se ëndrra asnjëherë nuk i ishte larguar dhe punësimi në EULEX ishte mënyrë për t’iu afruar sa më shumë që ishte e mundur.
Në pyetjen rreth të ardhmes, Yulia nuk ka përgjigje konkrete. “Tani jam këtu dhe jam shumë e lumtur profesionalisht dhe personalisht. Por unë dua të rritem dhe të bëjë më shumë”. Në fund, e tëra që ajo kishte dashur ishte të eksploronte dhe të ishte e lirë.