24 mars 2014
Përkushtimi i saj i palëkundur për zhvillimin e Kosovës dhe angazhimi i zellshëm i saj ndaj profesionalizmit e ka bërë atë pjesë vitale të përpjekjeve të pafund për ndërtimin e një shoqërie më të mirë. Ajo quhet Ariana Qosaj dhe momentalisht punon si Hulumtuese/Koordinatore e lartë e programeve në Institutin Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave.
Ariana është pjesë e menaxhmentit të lartë të
KIPRED-it, një institut vendas që ka për mandat bërjen e hulumtimeve,
analizimin e politikave, përmbledhjeve dhe publikimeve të ndryshme për
ta ndihmuar Kosovën në ndërtimin e institucioneve efikase në fushën e
sundimit të ligjit, sigurisë, qeverisjes demokratike dhe zhvillimit.
Ariana e udhëheq programin për Sundim të Ligjit dhe Qeverisje të Mirë.
Proceset e zhvillimit të politikave kanë qenë pjesë e
aktiviteteve të Arianës për shumë vite. "Unë mendoj se përmes hulumtimit
ne mund të ofrojmë fakte, informacione dhe ide për një zhvillim më të
mirë të politikave," thotë Ariana.
Pasioni për temat siç janë sundimi i ligjit, të drejtat e
grave dhe kryesisht besimi se një ditë Kosova do të behët shtet i fortë
për të gjithë qytetarët e saj duke garantuar zbatimin e plotë të
ligjeve, e kanë shtyrë Arianën drejt punës që ajo e bën. "Ligjet nuk
duhet hartuar ashtu që t'i plotësojnë nevojat e elitave të caktuara
politike por t'i shërbejnë popullit," thotë ajo.
Ariana ka pasur një laramani të përvojës së punës dhe gjithmonë gjen diçka për të bërë. Ajo ka punuar si Drejtoreshë Ekzekutive e Fondit për Zhvillim të Komunitetit, një iniciativë e Bankës Botërore në Kosovë dhe një OJQ vendase për zhvillimin social dhe të infrastrukturës kryesore. Para kësaj ajo kishte punuar si Këshilltare Ligjore për Çështjet e Grave dhe Fëmijëve në misione ndërkombëtare siç është misioni i OSBE-s në Kosovë.
Për një vit e gjysmë, Ariana ka qenë e angazhuar si këshilltare për çështje ligjore tek Presidentja e Kosovës, nga fillimi i mandatit të saj. Puna e saj e parë ka qenë krijimi i një grupi punues për hartimin e Rregullores Presidenciale për Falje. "Me vjen mirë që kjo rregullore tani po përdorët për hartimin e ligjit të ri për faljen," shtoi ajo.
Gjatë kohës sa ka punuar me Presidenten, Ariana është krenare për shumë gjëra që ajo i ka arritur, një ndër të cilat që ia vlen të ceket është edhe praktika e krijuar për të mos ndikuar politikisht në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. "Unë mendoj se ne shpesh irritohemi ngase Kosova nuk është zhvilluar sa do të duhej pas pavarësisë. Më rininë dhe potencialin që e kemi ne kemi pritur që të lëvizim më shpejtë sesa jemi duke lëvizur tani", thotë Qosaj. Ajo ndihet se proceset po shkojnë mbrapa dhe se duke pasur objektiva dhe pritje të mëdha kjo gjë nganjëherë bëhet sfiduese.
Ariana vazhdimisht ka dëshirë që të avancojë në shkollim e saj dhe trajtimin e sfidave, prandaj punon për ide të reja. Ajo nuk mendon se njerëzit duhet të qëndrojnë në zonën e tyre të sigurtë por gjithmonë motivim ta kenë arritjen e niveleve më të larta profesionale. "Asnjëherë nuk duhet të udhëhiqemi nga oportunizmi ngase një gjë e tillë kurrë nuk do të sjellë ndryshimet dhe përparimin e nevojshëm për shoqërinë" thotë Ariana.
Momentalisht, gjyqësori i Kosovës përballet me shumë sfida. Kryesisht në mungesë të mbështetjes me staf dhe buxhet, gjyqësori do të vazhdojë të përballët më vështirësi në ndarjen e drejtësisë. Sipas Arianës, Kosova ka shumë probleme në zbatimin e sundimit të ligjit, dhe se ajo është dashur që t'i ndjek modelet siç është ai i Uashington DC, ku Kongresi dhe Shtëpia së Bardhë gjithmonë e dinë sa pranë e kanë Gjykatën Supreme dhe se dikush gjithmonë është duke i mbikëqyrë ata. "Po ashtu, dua të shtoj se mbetet shumë për t'u bërë dhe kjo nuk mund të përfshihet në disa fjali. Megjithatë, përderisa nuk kemi një elitë politike e cila më të vërtetë e kupton se politika duhet të qëndrojë larg nga gjyqësori, ne do ta kemi të vështirë që të kemi një sistem gjyqësor të fortë, të pavarur dhe efikas," thekson ajo.
Ariana është po ashtu nënë e tri vajzave. Të
qenit grua me karrierë dhe familje është gjithmonë një sfidë.
Megjithatë, Qosaj thotë se njeriu duhet ta shfrytëzojë në mënyrën më të
mirë përkrahjen e familjes, shoqërisë në punën që e bën në mënyrë që t'i
balancojë të gjitha. Duke e pasur këtë parasysh, ekzistojnë shumë gra
të mrekullueshme të cilat shpesh nuk i kanë as mundësitë e as përkrahjen
e nevojshme dhe kështu mbesin në shtëpi. "Të gjithë duhet ta dimë se
kjo gjë nuk do të jetë e lehtë, por gjithashtu do të thotë se ne nuk
duhet të dorëzohemi aq shpejtë," thekson ajo.
Ajo po ashtu ka një porosi për gratë e reja, të cilat përpiqen
të ndjekin ëndrrën e tyre. "Asnjëherë mos i ndalni përpjekjet për
realizimin e ëndrrave tuaja pavarësisht asaj çfarë thonë apo bëjnë të
tjerët për t'ju dekurajuar. Ju mundeni dhe duhet të bëni ndryshimin duke
e bërë atë që e keni pasion."
Ariana Qosaj momentalisht është kandidate për Doktoratë në Fakultetin Juridik 'Iustinianus Primus' në Shkup, mirëpo çfarëdo që të jetë duke bërë, ajo do të vazhdoj të punojë dhe avokojë për të drejtat e grave dhe çështjet e sundimit të ligjit.