30 maj 2019
Gjëja e parë që vëreni tek Chiara është buzëqeshja e saj ngjitëse që transmeton bukurinë e saj të brishtë, por njëkohësisht edhe të madhe. Por, nën atë brishtësi fshihet një karakter i fortë, pasqyrim i femrës bashkëkohore, e fortë dhe e qëndrueshme. Kjo qëndrueshmëri përshtatet në mënyrë të përsosur me punën që ajo e bën si monitoruese kryesore tematike e EULEX-it për rastet e dhunës në baza gjinore.
Ndonëse ka edhe raste ku burrat janë viktima të kësaj dhune, në mbarë botën numri i viktimave femra të dhunës në bazë gjinore është jashtëzakonisht më i lartë. Organizata UN Women ka kryer një sërë studimesh në zbulim të fakteve dhe shifrave për shumë lloje të dhunës në bazë gjinore dhe sipas raporteve të tyre, fatkeqësisht vlerësohet se 35% e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale. Ndërkaq, disa studime kombëtare tregojnë se gjatë jetës së tyre, deri në 70% e femrave kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale nga partnerët e tyre të afërt.
Duke i pasur këto fakte në mendje, dhe gjithashtu me përvojën në kontekstin e vendit, Chiara është shumë e kënaqur që me mandatin tonë të ri, Shtylla e Misionit për monitorim ka monitorues tematikë të dedikuar për rastet e dhunës në bazë gjinore. "Prania e monitoruesit specifik për rastet e dhunës në bazë gjinore ka qenë hap monumental për Misionin dhe mandatin tonë", thekson ajo.
"Si mision, ne gjithmonë i kemi trajtuar rastet e dhunës në familje dhe rastet e dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin, por tani e kemi mandatin të përqendrohemi tek funksionimi i tërë sistemit - i tërë mekanizmi i reagimeve ndaj rasteve të dhunës në familje dhe rasteve të dhunës në bazë gjinore", shpjegon ajo. "Pra, unë mendoj se kjo është mundësi tejet e mirë për Misionin dhe për mua si personalisht, ashtu edhe profesionalisht, si dhe për Njësinë. Me të vërtetë shpresoj që mund të shënojmë arritje të mëdha."
Kur e filloi punën në EULEX në vitin 2011, Chiara punonte si zyrtare ligjore në Njësinë e Gjyqtarëve në Mitrovicë, kurse ekipi i saj merrej me rastet e krimeve të luftës. "Ishte një përvojë shumë sfiduese dhe e ndjeshme", thotë Chiara. "Aspekti i ndjeshmërisë së punës sime mbetet i njëjtë edhe në atë që e bëj sot", shpjegon më tej ajo.
Shqyrtimi i rasteve të tilla vë në pah hendekun e dukshëm mes miratimit të legjislacionit për rastet e dhunës në bazë gjinore dhe zbatimit të atij legjislacioni. Mekanizmi i reagimit dhe koordinimit tek këto lloje të rasteve ende ka një rrugë të gjatë për të përshkuar derisa legjislacioni të zbatohet në mënyrë efektive.
"Duke filluar nga bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të ndryshme që i përgjigjen rasteve të dhunës në bazë gjinore, ndërveprimi midis ofruesve institucionalë si Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Policia e Kosovës, prokuroria, gjykatat, Qendrat për Mirëqenie Sociale, strehimoret, Instituti i Mjekësisë Ligjore, shoqëria civile dhe organizatat ndërkombëtare, ende mbetet edhe shumë punë për t'u bërë," thekson ajo.
"Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtij procesi është edhe nevoja për ngritjen e vetëdijes për të ndikuar në mentalitetin kulturor për reagimin ndaj këtyre rasteve të ndjeshme. Këtu ekziston një bazë e qëndrueshme, por ende mbeten edhe shumë punë për t’u bërë” , thotë Chiara.
Ajo e shpjegon më tej rëndësinë e angazhimit të gjitha palëve për të arritur përparim. Theksi vihet tek roli udhëheqës i homologëve të vendit dhe rëndësia e bashkëpunimit përmes forumeve dhe platformave ekzistuese ku EULEX-i është gjithashtu aktiv dhe mbështetës.
Puna e EULEX-it për rastet e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore është njohur nga homologët e vendit për vite me radhë – monitorimi tematik është vazhdim i asaj trashëgimie. Bashkëpunimi mes Misionit dhe homologëve nga vendi është tashmë i themeluar dhe i fortë.
Në këtë kuptim, Chiara është shumë e njoftuar me rrethanat e vendit – ajo arriti në Kosovë në vitin 2009 dhe gjatë dekadës së fundit ishte e pranishme në periudha të ndryshme të ndryshimeve nëpër të cilat kaloi Kosova. Në atë kohë, ajo ishte e angazhuar me OSBE-në si monitoruese në gjykata dhe një pjesë e punës së saj kishte të bënte edhe me rritjen e ndërgjegjësimit për mekanizmat e reagimit ndaj dhunës në familje dhe qasjes në ndihmë juridike falas për viktimat, gjë që i jep asaj një krahasim retrospektiv me situatën e sotme.
Përgjatë rrugës së kujtimeve, Chiara na çon në një udhëtim të shkurtër ekzotik deri në Brazil, ku ajo ka punuar në programe arsimore për fëmijët dhe rininë. "Ishte punë shumë e bukur dhe sfiduese. Kam kaluar tri vite atje dhe isha e habitur me kulturën, njerëzit dhe diversitetin ", thotë ajo. "
"Nganjëherë mjafton thjeshtë prania për të ndihmuar dikë. Puna me fëmijët që kishin fëmijëri të vështirë atje, më dëshmoi se ndonjëherë një përqafim i thjeshtë apo një gjest i mirë mund të ketë ndikim të fortë dhe pozitiv mbi dikë ", kujton ajo me nostalgji.
Nga Brazili në Ballkan, dhjetë vite më pas, Chiara flet për të gjitha periudhat e ndryshimeve që ka përjetuar. "Shumë ndryshime kanë ndodhur si në shoqëri ashtu edhe në nivel ndërkombëtar. Është madhështore të përjetosh fazat zhvillimore të ndonjë vendi dhe të shohësh se çfarë mund të bëhet."
"Në Rimini, vendi prej nga unë jam në Itali, gjithçka është e rregulluar, prandaj nuk kam pasur ndonjëherë mundësi të shihja lindjen e një shteti nga e para", thotë Chiara.
Ajo është larguar nga Italia që kur ishte 18 vjeç kur shkoi në Britani të Madhe për të përfunduar studimet e saj në fushën e të drejtës evropiane dhe të drejtat e njeriut. Qysh atëherë ajo nuk ka jetuar më në Itali. Por familja ia ka ruajtur ndjenjën e prejardhjes dhe përkatësisë, duke treguar përkrahje dhe dashuri të pamasë përgjatë viteve.
"Falë familjes, gjithmonë e kam ditur se ku e kam shtëpinë. Kjo mbështetje dhe dashuri është thelbësore, veçanërisht kur je larg shtëpisë për një kohë kaq të gjatë. Pra, gjithmonë kam pasur rrënjë të forta ", shpjegon me dashuri.
Familja e saj kishte biznes turistik dhe hotelier në Rimini, kështu që duke punuar së bashku, Chiara u rrit e rrethuar me ndjenjë e fortë të familjes. Ky lloj i punës po ashtu ka mbjellë tek ajo rëndësinë e solidaritetit, mikpritjes, bashkëveprimit dhe unitetit, çka është thelbësore edhe në punën që ajo bën sot.
Dhe ajo qëndron e vendosur në besimet e saj profesionale dhe personale, e rritur në një familje ku femrat dhe meshkujt gjithmonë janë trajtuar në mënyrë të barabartë.
"Nëna ime mbetet burimi më i madh i frymëzimit për mua. Në fund të viteve 1960, kur Italia ende po rimëkëmbej nga Lufta e Dytë Botërore, ajo shkoi në Mbretërinë e Bashkuar për të studiuar letërsinë angleze dhe për mësimdhënie. Vendimet e saj në atë kohë, pavarësia dhe vendosmëria e saj kanë luajtur rol në formimin tim në atë që sot jam", thotë Chiara me krenari modeste në zërin e saj.
Por, fuqizimi i femrave nuk është proces i izoluar ku vetëm femrat janë të përfshira dhe vetëm prej tyre pritet të inkurajojnë dhe të mbështesin njëra-tjetrën. Për të arritur barazinë e vërtetë gjinore, nevojitet përfshirja e barabartë e meshkujve dhe femrave qysh prej momentit kur fillojnë të kuptojnë botën rreth tyre.
Chiara e shpjegon këtë duke dhënë shembullin e unitetit të prindërve të saj dhe mënyrën se si marrëdhëniet e tyre e kanë përcaktuar perspektivën e saj rresh barazisë gjinore.
"Nëna ime ka qenë gjithmonë një grua e madhe, por ka pasur edhe një burrë të fortë pranë. Në jetë nevojitet përfshirja e burrave dhe grave nëse doni të shihni rezultate të kënaqshme në mënyrën e trajtimit të njëri-tjetrit. Synimet në jetë arrihen me unitet midis burrave dhe grave, dhe kjo është e rëndësishme sidomos tani kur flasim për barazinë gjinore dhe përfshirjen e aspektit gjinor. Është thelbësore që pjesë të procesit të jenë si djemtë ashtu edhe burrat".
Ajo ndihet edhe më e fortë për këtë, tani që ajo do të bëhet nënë e një djali. "Edukimi i djemve tonë, vlerat që ne ua japim, kanë shumë rëndësi. Mendoja për këtë, sa sfiduese do të jetë. Sfiduese dhe thelbësore sa i përket drejtimit që u japim atyre në jetë në kuptimin e rëndësisë së madhe që kanë vlerat dhe respekti ", thekson Chiara.
Në udhëtim gjithashtu është edhe një pjesë e madhe e jetës dhe pasionit të saj. "E dua. Ndjenja e të panjohurës, takimi i njerëzve të rinj, të mësuarit rreth kulturave të reja, dëgjimi i gjuhëve të tjera.”
"Deri më tani, vendi im i preferuar është Brazili, ngase është aq i madh, i larmishëm dhe me pasuri kulturore".
Për momentin, eksplorimi i Azisë mbetet në listën e saj të dëshirave.
Ndërkohë që biseda jonë e këndshme vije tek fundi, Chiara shprehë gëzimin, lumturinë, frikën e të panjohurës dhe emocionet e bekimit nga amësia dhe jeta përpara.