Funksionet operacionale kryhen nga Shtylla Mbështetëse për Operacione e Misionit e cila ka kapacitet të mbetur të kufizuar si reagues i dytë në fushën e sigurisë dhe i ofron mbështetje zhvillimit operacional të Policisë së Kosovës për kontrollimin e turmave dhe trazirave. Më saktësisht, Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it (NjPS), e cila përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë polakë, është reaguesi i dytë i Kosovës në fushën e sigurisë, duke qenë pjesë e një mekanizmi treshtresor të reaguesve në fushën e sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë në fushën e sigurisë, EULEX-i është reaguesi i dytë, dhe KFOR-i është reaguesi i tretë. Në rolin e saj si reaguese e dytë në fushën e sigurisë, NJPS e EULEX-it mund të angazhohet vetëm me kërkesë specifike të reaguesit të parë të sigurisë me qëllim të kontribuoj në ruajtjen dhe avancimin e rendit dhe sigurisë publike në raste të trazirave qytetare. Në mënyrë që të jetë e informuar mbi situatën, NJPS-ja kryen patrullime mobile të vëzhgimit me orar 24/7 i cili mbahet me ndërrime. NJPS-ja merr pjesë rregullisht në ushtrime për kontrollimin e turmave dhe trazirave së bashku me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in. Nga 15 qershori 2018 deri më 14 qershor 2023, NJPS-ja ka marrë pjesë në dhjetë trajnime të përbashkëta me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, 11 trajnime me Policinë e Kosovës dhe 70 trajnime me KFOR-in. Qëllimi i këtyre trajnimeve është sigurimi i bashkërendimit të papenguar në mes të tre reaguesve të sigurisë në rast të ndonjë angazhimi real.
EULEX-i e mbështetë Policinë e Kosovës edhe në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar përmes lehtësimit të shkëmbimit të informatave mes Policisë së Kosovës dhe Interpolit, EUROPOL-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Nga data 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2023, EULEX-i ka pranuar dhe ka dërguar 1695 kërkesa në lidhje me shkëmbimin e informatave mes EUROPOL-it dhe Policisë së Kosovës dhe 2731 kërkesa në lidhje me shkëmbimin e informatave mes Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë në përputhje me protokollin për bashkëpunim policor mes dy entiteteve. Misioni po ashtu lehtëson shkëmbimin e informatave mes Byrove Kombëtare Qendrore të INTERPOL-it dhe Njësisë së Policisë së Kosovës për Bashkërendim Ndërkombëtar në fushën e Zbatimit të Ligjit nën ombrellën e Zyrës Ndërlidhëse të INTERPOL-it brenda UNMIK-ut. Nga data 15 qershor 2018 deri më 14 qershor 2023, stafi i EULEX-it që punon në Zyrën Ndërlidhëse të INTERPOL-it brenda UNMIK-ut kanë pranuar dhe dërguar 10130 kërkesa.
Përveç kësaj, Misioni vazhdon të menaxhojë programin e tij për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Ekspertët e EULEX-it vazhdojnë të punojnë bashkë me homologët e tyre vendas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për gjetjen e fatit të personave të zhdukur duke ofruar ekspertizë dhe këshilla për identifikimin e varreve të mundshme të fshehta dhe për zhvarrosjen dhe identifikimin e viktimave të lidhura me konfliktin në Kosovë. Nga fillimi i mandatit të EULEX-it e deri më 14 qershor 2023, EULEX-i ka kryer 736 operacione në teren për gjetjen e personave të zhdukur, që përfshijnë 198 zhvarrime. Mbetjet mortore të 491 individëve janë identifikuar, që përfshijnë 339 persona të zhdukur. Përveç kësaj, ekspertët e EULEX-it punojnë bashkë me autoritetet e Kosovës për adresimin e çështjes së mbetjeve mortore trupore në morgun e Prishtinës.
Misioni po ashtu u asiston Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës me mbështetje logjistike dhe operacionale në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës.