19 dhjetor 2019
A e keni ditur se ju mund ta kryeni praktikën tuaj në EULEX? Le ta dëgjojmë Anže Močilnik, ish-praktikant yni nga Sllovenia, tek e ndan me ne përvojën e tij në lidhje me këtë mundësi!
Nuk është çudi që Anže u bë jurist pasi ai gjithmonë e ka parë ligjin si artin e të mirës dhe të drejtit. Gjatë viteve të tij në universitet, përqendrimi kryesor i tij ishte në konfliktin e Kosovës dhe përgjigjen e bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është për t'u habitur që, pasi e mbaroi Masterin për juridik (LLM) në Universitetin e Utrecht-it, ai e shfrytëzoi rastin për të ardhur në Kosovë dhe ta kryejë praktikën në EULEX.
Anže ishte praktikant në Zyrën Ligjore dhe për të Drejtat e Njeriut në vitin 2014. Kur kthehet prapa në kohën e qëndrimit të tij në këtë Mision, ai e ka të vështirë që ta përmend në veçanti ndonjë detyrë rutinore pasi po punonte si praktikant në një zyrë tejet dinamike. "Puna ime përfshinte hartimin e shkresave ligjore, ndryshimin e procedurave standarde të operimit, kryerjen e analizave juridike për çështje të ndryshme të drejtave të njeriut dhe hartimin e mendimeve juridike", thotë Anže.
Ai është i bindur se praktika e tij në EULEX i formësoi aftësitë e tij dhe e bëri atë konkurrues në tregun e punës. "Të qenit i zhytur plotësisht në një organizatë ndërkombëtare me ritëm të shpejtë pune, ma përforcoi njohurinë time për larminë kulturore dhe më ndihmoi që të zhvillohem në një profesionist me takt", thekson ai. Për më tepër, të jetuarit në një mjedis krejtësisht të ri, në zemër të Ballkanit, ishte një periudhë unike për të; ai mësoi shumë për njerëzit, e përjetoi mikpritjen e tyre të përzemërt dhe të ngrohtë, si dhe e njohu drejtpërsëdrejti të gjithë rajonin.
Kjo punë praktike nuk ishte hera e vetme që Anže ka punuar me këtë Mision ose që është marrë me rajonin. Menjëherë pas kësaj mundësie, ai punoi si Zyrtar Ligjor/Administrativ në EULEX. Për më tepër, ai punoi për “Human Rights Watch”, ku gjithashtu u përqendrua në Ballkanin Perëndimor. Anže tani është Zyrtar i EULEX-it për Menaxhimin e Njohurive përgjegjës për mësimin organizativ dhe për ruajtjen e njohurive të këtij Misioni.
Me pak fjalë, kujt dhe pse do t’i sugjeronte Anže që ta bëjë praktikën në EULEX? “Unë do ta rekomandoja këtë për çdo profesionist të ri dhe student që dëshiron të mësojë më shumë rreth sundimit të ligjit. Të kesh mundësi të punosh së bashku me profesionistë nga vende të ndryshme është një anë tjetër e mirëseardhur e punës praktike. Dhe krejt në fund, por jo nga rëndësia, ju do të jetoni në Prishtinë, njërin nga qytetet më të gjalla të Evropës!"
EULEXperienca përqendrohet në rrëfimet e ish-praktikantëve të EULEX-it, kohën dhe përvojat e tyre në këtë Mision, si dhe angazhimet e tyre të tanishme.